Në ambientet e Fakultetit të Arteve Pamore janë ekspozuar së fundmi, veprat studentëve të ketij fakulteti. Sikur tha për mediet, Dekani Ardian Isufi, ekspozita vjen si një këndvështrim modern i të rinjve mbi tematika të ndryshme sociale.
Studentët e arteve kanë ekspozuar veprat e realizuara përgjatë këtij viti, ku bien ne sy tematikat e ndryshme sociale apo situata të ndryshme politike. Përmes ndjeshmërisë artistike, ata sjellin në vëmendje problematika si ndotja e mjedisit apo dhuna në familje, që janë trajtuar në letra të shkruara apo punuara me dorë, në grafika dhe instalacione moderne. Dekani i këtij fakulteti, Ardian Isufi, rrëfen se këto janë konceptet e artistëve të rinj, që vijnë të trajtuara në mënyrë bashkohore.
“Është një konkluzion i fundvitit, që vjen nëpërmjet punës konkrete të studentëve. Kemi ekspozuar punët e tyre në letra “handmade”, sesi kjo kthehet nga një koncept artistik nëpërmjet shtypit dhe kolazhimit, në një koncept bashkohor. Ne japim disa tema dhe studentët zhvillojnë përjetimet, konceptet, si edhe qëndrimet e tyre. Ka shumë histori që vijnë nga jeta dhe ngjarjet, që ata jetojnë çdo ditë. Ka punë që trajtojnë të drejtat edhe liritë e individit, apo edhe situata që kalojnë politikanët tanë, duke u kthyer kështu, nga lokale në universale”, – ka theksuar dekani.
Ndërsa, studentët shpjegojnë se përse vëmendja e tyre është në këto problematika të mprehta sociale. Dy nga studentët e grafik-dizajnit, të frymëzuar nga “Luli i vocërr” i Migjenit, kanë realizuar një film të animuar (3 min).
“Fillimisht, donim që të bazoheshim në një histori shqiptare. Vetëm në fund, vendosëm të trajtonim “Lulin e vocërr”, të Migjenit, si një personazh tipik shqiptar. Por, këtë film të animuar e kemi realizuar duke pasur parasysh tregimin”.
Veprat e artistëve të rinj, të studentëve të grafik-dizajnit, do të vazhdojnë të qëndrojnë të ekspozuara në mjediset e Fakultetit e Arteve Pamore.