MENU

Galeria FAB

“Lutja” e Gazmend Lekës

29.09.2018 - 13:19

Galeria FAB do të hapë dyert e saj për publikun që adhuron pikturën në ekspozitën e piktorit të mirënjohur Gazmend Leka e titulluar “Lutja”. Ekspozita do të hapet në datë 4 tetor dhe dotë qëndrojë e hapur për publikun deri në 31 tetor, çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 20:00.

Krijimtaria e tij në pikturë gjithmonë ka marrë vlerësimin e publikut dhe kritikës, dhe sot ai është një nga personalitet e artit në vendin tonë. Piktori Gazmend Leka, me dekada pranë krijimtarisë artistike gjithmonë ka spikatur për veprat e tij, duke qenë shpeshherë dhe fitues i konkurseve të ndryshme të artit. Veprat e Gazmend Lekës nuk janë të njohura vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë e Amerikë. Në fondin e “Galerisë Kombëtare të Arteve” ruhen 37 vepra të tijat në pikturë dhe grafikë dhe mbi 400 vepra të tjera janë shpërndare në koleksione private në shumë vende të botës.
Ekspozita e fundit që do të shfaqet në Galerinë FAB është një tjetër shprehje e krijimtarisë fantastike të piktorit të bazuar në thellësitë e shpirtit e mendjes së njeriut.

Të gjitha tablotë janë vegime imagjinare, shpirtërore, të një bote metafizike, të atij fraksioni kohe, para ngjizjes. Secila prej tyre është metafora e vdekjes së artistit. Është harxhimi i përditshëm i qenies. Është një dialog i gjatë e i pandërprerë, një shkarkim i madh. Vdes brenda, për t’u ringjallur jashtë.

Kjo ekspozitë, është një reflektim në vetë të parë i aktit shpirtëror të krijimit, në habitatin e vet, si një bunacë shurdhe para një stuhie të egër.

Ekspozita, është një cikël i ngjizur me 25 piktura, si 25 lutje. Filloi thjeshtë nga një pikturë me të njejtin titull, vitin që shkoi. Në mes të studios së zhurmshme, me ngjyrat, penelat, spatulat e leckat tërë bojë, artisti rri shtrirë në dysheme, duke u lutur përballë një telajoje të bardhë, ende të paprekur, sikurse luteshin dikur murgjit e mëdhej në vetminë e tyre. Kjo pikturë ishte shtysa. U bë matricë për gjithë ciklin. Janë 13 piktura, të një formati deri në 2m x 1,5m dhe 12 piktura të formatit të vogël, si detaje të ngjarjes që ndodh në barkun e ateljesë.” – thotë vetë piktori Leka në një prezantim të shkurtër për veprat që do të shfaqen në ekspozitë.

Vetë piktori Leka shprehet: “Gjithmonë e kam konsideruar pikturën si një lutje të gjatë, që fillon çdo ditë me lindjen e diellit. Ky rit, më ka shoqëruar në udhëtimin tim, për të zbuluar e për të gjetur GJUHËN E VJETËR, gjuhën e humbur, që e dija dikur, përpara RËNIES, kur i flisja gurit, pemës, frutit, gjarpërit. Kjo lutje bëhet nga dita më ditë, më e thellë, më e brëndshme dhe më lejon t’u flas lirshëm gjërave, që tashmë kanë vdekur. Të thënat e tyre, bëjnë krijimet e mija njëra pas tjetres”.

Në rrjedhën e shumë ekspozitave personale: “Black Box”, “Kutia e Zezë e Qenies”, “Ikarus”, “Simbolon”, “Molla”, “Natura Morta” dhe së fundmi “Taso”, lutja, për herë të parë, nuk i drejtohet më një teme të caktuar, porse ofrohet si një vështrim i krijuesit në dimensionin e vet më shpirtëror, zhytur thellë në habitatin e tij, si prifti i lartë i qytetërimeve të para, në kërkim të gjuhës së vjetër, për të vazhduar atë dialog që nisi në gjenezë të kohës.

Në heshtjen tonë, ne të gjithë lutemi. Lutemi për shëndetin e trupit e më së shumti, lutemi për shëndetin e shpirtit.

Gazmend Leka e shpjegon lutjen nga pikëpamja e brendshme e artistit: “Lutja ime, në orët e pafundme në studio, është simotër me lutjet e gjithesejcilit prej nesh, në orët e pafundme, gjatë punëve të përditëshme. Artisti lutet duke krijuar. Lutet, që e gjithë energjia e tij të përcillet në veprën që krijon, e më pas të shkojë tek publiku, pa mbetje. Të gjithë shijojnë krijimin e kryer, por askush nuk e di, që pas veprës, veҫ kënaqësisë, tensionit e përkushtimit, ajo ҫka i mpiks të tëra, është lutja. Këtë doja të zbuloja këtë herë në sytë e tyre. Si gjithë krijuesit dhe unë ҫdo ditë që krijoj, humb energji nga shpirti im. Vdes ҫdo ditë nga pak dhe ringjallem në vepër.

“Lutja” është një akt i gjatë që kryhet në vetmi të plotë. Në shurdhërinë e hapësirës, si për të gjithë ne, ashtu dhe për artistin, ajo është kredhja në një dimension tejet personal, ku rregullat dhe arsyeja tokësore bëhen të pafuqishme e përthyhen.

“Lutja” është akti përgatitor para kryerjes së një riti antik, që ndoshta zë fill që nga muret e errëta të shpellave prehistorike.
“Lutja” është akti i murgjve, para pikturimit të ikonave, për t’i bekuar ato me frymë krijimi.

“Lutja” është një akt i thellë shpirtëror, para se të ngjizet vepra. Është shpërthim që paraprin mpiksjen e imazhit mbi sipërfaqen e bardhë sterile. Penelat, telajot, tavoloci i stërmunduar… të gjitha janë aty, gati për t’u sakrifikuar.

Ta flasësh e ta përflasësh atë, është gjithnjë e vështirë. Pavarësisht bisedave të gjata me artistin, në momentin fundor, logjika të bën të kuptosh, që ajo është një territor metafizik, që nuk duhet prekur, por si pa kuptuar, ajo bëhet e vërtetë për të gjithë ne.

Duket sikur artisti krijon Gjithçka nga Hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin Heshtja e Madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe.

Kjo ekspozitë i dedikohet kësaj Heshtjeje të Madhe. Aty, si në një manifest artistik, pesha e arsyes dhe trupi i artistit, përhumben në një perspektivë personale, ndërkohë që studioja kthehet në tempullin e tij vetjak. Ai është aty, i vetëm, me personazhe reale e irreale, me miq e demonë, erën e vajit të linit dhe tingujt e muzikës. Mes rrëmujës së përhershme, ato ngatërrohen e përzihen njëra me tjetrën. Në mes të kësaj rrëmuje, i përulur, fanitet imazhi i tij, që endet i vetmuar në studio, i përndjekur shpesh nga imazhi i fundmë i një varri fantazmë, apo nga një hije-kryq “i rastësishëm”, gjithë-përfshirë në një dimension shpirtëror të thellë, tërësisht i zhveshur nga çdo gjë materiale, si në një rit shamanik, ku qiellorja dhe tokësorja bëhen njësh.

Piktori përfundon: “Kur kthej kokën pas, ekspozitat pararendëse, “NATURA MORTA” dhe “TASO”, më shfaqen si prelud i ekspozitës “LUTJA”. Temat, si ҫasti i fundit i kalimit, apo artisti në habitatin e vet, në këtë ekspozitë të fundit, besoj se vijnë me një forcë e me një frekuencë piktorike më të madhe edhe për faktin se trupi dhe fryma ime, janë personazhi qëndror, në një simbiozë të thellë me ateljenë time.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kush ishte Pol Sezan?

Pol Sezan, tragjiku i vetmuar


Lirika e gjuhës së mprehtë

Azem Shkreli pena origjinale bashkohore

Nismëtar i letërsisë

Barleti epos i shpirtit shqiptar

Shqipëria dinjitoze në Kanë

“Furgoni” mes 11 filmave pretendentë

Albanologu, përkthyes e kritik... iku!

Lanksh, dashnori i gegnishtes së Camajt