Pas zgjedhjeve të 30 qershorit ku PS mori të gjitha bashkitë e vendit, opozita ka vendosur të vijojë me aksionin e saj.
Ditën e hënë, më 8 korrik, është njoftuar se do të zhvillohet protesta e 10-të, në rang kombëtar, në vijim të kërkesave për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme pa të në qeveri.
Vendimi për vijimin e protestave u mor në mbledhjen në selinë e PD të strukturave më të larta dhe të krerëve të bashkive, ndërsa pritet të zhvillohet në orën 20:00.
Pas përfundimit të mbledhjes, në një prononcim të shkurtër për mediat, Basha ftoi qytetarët që t’i bashkohen protestës.
Dua t’i ftoj të gjithë këta qytetarë dinjitozë të Shqipërisë europiane, nëna e baballarë, të rinj e të reja, prindër e bij nënash shqiptare të na bashkohen ditën e hënë në orën 20:00, 8 të mbrëmjes në një protestë të madhe kombëtare për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim tek vetvetja dhe tek njeri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për kushtetutën, për lirinë për fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane . Të gjithë bashkë ditën e hënë, në orën 20:00 në Tiranë”, deklaroi kreu i PD.