Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e protestës së opozitës, që do të zhvillohet mbrëmjen e nesërme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në një lidhje live nga “Facebook”, Kryemadhi tha se protesta e nesërme ka një rëndësi të madhe, jo politike, por për të treguar se shqiptarët kanë vendosur të jenë të zotët e vetes.
“Përshëndetje të gjithë miq dhe dashamirës! Nesër protesta në orën 20.00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka rëndësinë e saj, por nuk ka rëndësi politike sesa ka rëndësi për të treguar që shqiptarët më shumë se kurrë, sot kanë vendosur të jenë zot të vetes. Ftohen të gjithë ata që ndihen të shtypur dhe të grabitur nga qeveria e Edi Ramës.
Ftohen të gjithë ata të rinj dhe të reja që ndiejnë pasiguri dhe nuk shikojnë asnjë të ardhme këtu në vend për shkak të qeverisë së Edi Ramës. Ftohen të gjithë ata pensionistë, të cilët me pensionin e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë ilaçet dhe jo më dritat dhe ujin që kanë shkuar me fatura në stratosferë me rritjen e çmimeve të Edi Ramës.
Ftohen të gjitha ato biznese të cilat mezi po mbijetojnë për shkak të taksave të larta të Edi Ramës, ftohen të gjitha ato biznese që falimentuan për shkak të politikave të Edi Ramës, pra ftohen të gjithë ata që duan një Shqipëri të vërtetë Europiane dhe ftohen të gjithë ata të rinj dhe të reja të cilët aspirojnë për të ndërtuar jetën e tyre Europiane në shtëpinë e tyre, në Shqipëri. Shqipërinë e ka bekuar Zoti, prandaj të tregojmë që dhe ne jemi një popull i bekuar nga Zoti. Faleminderit, shikohemi të gjithë nesër në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 20:00”, tha Kryemadhi.