MENU
klinika

"E papërsëritshme, unikale!"

Një bohem francez i këngës shqiptare

08.07.2019 - 12:41

      Rastësia e ka sjellë të banoj jo larg rrugës ku banon miku im francez, etnomuzikologu i njohur Bernard Lortat-Jacob. Dritaret e tij shohin poshtë mbi oborrin dhe dritaret e shtëpisë ku vite më parë, jetonte skulptori i madh Giacometti. Dëgjojmë së bashku këngë shqiptare që ka regjistruar gjatë udhëtimit të fundit të tij dhe shpesh, ai i shoqëron ato nën zë, pasi Bernard është gjithashtu një «cant-autore». Herë-herë, ai ndalon për të thënë lehtas fjalë të shkëputura: «e mrekullueshme…unikale…e papërsëritshme, madhështore!» Polifonia e jugut të Shqipërisë e ka mbushur për një çast këtë shtëpi, duke e zhvendosur në një farë mënyrë tërë këtë mjedis në kohë e hapësirë.

– «Ja thesari im! – më thotë ai dhe nga një sunduk i vjetër nxjerr gjithçka ka shqiptare: libra për muzikën, tekste muzikore, disqe të reja e të vjetra, shënime…Ai ruan madje dhe një disk të vjetër të viteve ’30-të, të regjistruar nga «Odeon», me këngëtarë shqiptarë të ardhur këtu në Paris, nga jugu i Shqipërisë.

– Duhet të jenë grupi polifonik i këngëtarëve popullorë të Himarës, – i them. – Koço Çakalli e Neço Muço, me këngët «Kthimi në nisi » apo «Varfëria» dhe «E dëshpëruara». Këngëtarë që këndonin me «iso».

 

 

 

 

Me Bernard Lortat-Jacob kemi një gjë të përbashkët: që të dy e duam atdheun e njëri-tjettrit si të ishte nje tokë prehjeje që të mbars e të bën ta duash gjithnjë. Nga viti 2001 e gjer më sot, çdo vit atë do ta gjesh fshtarave të Shqipërisë, në kërkim të këngëve polifonike dhe shpirtit njerëzor. Dashuria e tij është e vjetër. Më 1983, unë zbuloja për herë të parë Parisin në një «Javë të filmit shqiptar» dhe po atë vit, Bernardi zbarkonte në Tiranë për Festivalin e Gjirokastrës. Megjithatë, pak shanse kam ta takoj atë në Tiranë, pasi Bernardi është një bohem i këngës, një shtegtar i fushave dhe maleve dhe tek njeriu, kërkon gjithnjë buronjën e saj.

– Verën e kaluar isha në Tërbaç, – m’u përgjigj ai kur e pyeta se ç’merak i kishte mbetur nga udhëtimi i fundit. – Rrugës pamë një kamion të ngarkuar me njerëz të veshur në të zeza kryesisht, që shkonin në varrim. Ishte një pamje e jashtëzakonëshme që doja ta xhiroja, por nuk mundja. Ishte një ceremoni funebre ku e vdekura qahej ne «oi». Këndohej këngë vaji që kurrë nuk i kisha dëgjuar. Qava. Gratë klithnin. Ishte një orkestrim i vërtetë i vdekjes, i përcjelljes. Aty rigjeta «Eskilin» e Kadaresë. Ajo heterofoni dhe polifoni ishin të habitshme». Ishte populli që këndonte në ditët e zeza të tij…

 

 

Shqipëria – një udhërrëfyes

 

Udhëtimi i parë në Shqpëri, ishte ndoshta më me mbresa, pasi ndryshe nga udhëtimet e tjera të tij për të mbledhur e regjistruar këngë popullore tek berberët e Algjerisë, në fshatrat marokenë, etiopianë, tek indianët e jugut të Amerikës, etj, në Shqipëri, Bernardi zbarkonte si në një planet tjetër. Shqipëria në vitin 1983 ishte në kulmin e izolimit, dëshpërimit dhe paranojës. Vizitorit zyrtar i paraqitej vetëm fasada, një fasadë e lumturisë së premtuar dhe e « begatisë », në një kohë që detajet më të vogla e tradhëtonin prezantimin zyrtar të «vendit të shqipeve». Gjatë tetë ditëve në festival, ai arriti të kuptonte se ku qëndronte shpirti i vërtetë i popullit dhe pse kënga e vjetër vishej me një tekst dogmatik. «Në vitin 1983, manipuluesit e folklorit dukeshin sheshit» – do të shkruante ai në parathënien e librit që do ta botonte vetëm në vitin 2005 L’Albanie – mode d’emploi («Ora»), – organizimi i festivaleve bëhej në atë mënyrë që të flitej për ata », pra ti këndohej partisë dhe Enver Hoxhës. Shpesh ai u kërkonte shoqëruesve që të asistonin në ndonjë dasëm fshati ku ti dëgjonte këngët atje dhe ku këndoheshin dhe buronin, në mjedisin e tyre. Por përgjigja ishte e prerë : « Nuk ka dasma në këtë periudhë ». Thua se dasmat ishin ndërprerë me urdhër nga lart. Ai kërkoi të pikëtakonte ciganet e romët dhe përsëri e njëjta përgjigje : « Romë nuk ka më » ! Thua se ata ishin zhdukur tashmë nga faqja e dheut. Shoqërueses së vënë nga Ministria e Kulturës ai guxoi ti bënte një kompliment për flokët bjondë duke i thënë se « kishte flokë venecianë ». « Por ajo m’u përgjigj se ishte e tepruar ti bëja një kompliment të tillë me lajka anti-patriotike. Nuk ka asgjë veneciane në kulturën shqiptare, madje dhe tek flokët ». I shoqëruar nga muzikologu shqiptar Benjamin Kruta, i cili më pas do të bëhej bashkëpuntori dhe kolegu i tij i Qëndrës Kombëtare të Kërkimeve Shkencore (CNRS) në Paris, Lortat-Jacob kujton një moment kur të ulur të dy në hijet e manave ai e pyeti papritur mikun e tij : «Sa?.. – Bashkëbiseduesi im, çuditet nga pyetja ime e beftë. Unë vazhdoj: «Sa janë ata që gjenden në burg? – Ai ngriti kryet, më shumë për të verifikuar që jemi vetëm sesa për t’u menduar dhe me një zë që asnjë vesh spiuni nuk mund ta dëgjonte, ai mërmëriti: – Shumë!»

«Shqipëria nuk e njeh krahasimin. Ajo krahasohet vetëm me veten e saj. Ajo përjashton nga fusha e analizës së saj, çdo gjë që është përtej kufijve të saj dhe historia e saj, është e lidhur vetëm me historinë e saj, me modelet e saj».

Bernardi nuk ka harruar as një detaj të vogël, por mjaft domethënës: atë të një çakmaku që për dreq i ishte gjendur në xhep, në momentin kur ishte nisur në Shqipëri. Çakmaku kishte imazhin e një femre të zhveshur pothuaj nudo. Me t’u futur në tokën shqiptare, ku ndaloheshin tekstet fetare dhe imazhet lakuriq, ai menjëherë e maskoi çakmakun nga frika se mund t’ia zbulonin dhe ta përzinin, duke e mbështjellë me një izolant nga ata që përdoren për të fiksuar mikrofonat. «Ky çakmak nuk m’u nda gjatë gjithë qëndrimit tim. Në momentin e ndarjes ia dhurova Benjaminit dhe i thashë që t’ia hiqte izolantin vetëm kur avioni të linte pistën e aeroportit”. Ndryshe, ai do të akuzohej si përhapës i pornografisë në Shqipëri. Një incident i mundshëm diplomatik, për regjimin e Hoxhës…

 

 

Aventura shqiptare

 

«Gjithçka është një aventurë e bukur në Shqipëri!» – më thotë Bernardi.

– Pse? – e pyes unë.

– Sepse gjithçka është e papritur dhe tepër njerëzore. Njerëzit janë tepër të dashur dhe në kafenetë e qytetit mund të ulesh dhe të këndosh bashkë me ta. Nga viti 2001 e gjer më sot, nuk kam reshtur së shkuari në Shqipëri. Atje gjej vetveten. Ndryshe nga koha totalitare, sot shqiptarët kanë dëshirë ta gëzojnë jetën. Dhe jeta për mua është në rrugë, në autobus, në kafenetë ku mblidhen e këndojnë, në dasma. Ka një lloj humanizmi, ka një shqetësim për tjetrin apo një «souci de l’autre», siç shprehet ai.

– Po si ndodhi që u ktheve sërish në Shqipëri, pas 18 vjetësh? – vazhdoj unë. – Kujtimet e tua nga vizita e parë, ishin jo fort të gëzueshme edhe pse pikëtakimi yt i parë me polifoninë ishte tronditës.

– Eshtë e vërtetë që edhe pse unë vazhdova të interesohesha për këngët e vjetra popullore shqiptare, nuk mendoja se do të kthehesha sërrish. Në vitin 1983, unë vizitova Institutin e Kulturës Popullore dhe atje dëgjova shumë regjistrime të bëra nga kolegët shqiptarë, me cilësi. Ngula këmbë të regjistroja këngë në ndonjë fshat, të asistoja në një mjedis popullor dhe më në fund më lanë. Shkova bashkë me Benjamin Krutën. Kur u ktheva, një përzgjedhje të këngëve popullore e depozitova në “Musée de l’Homme” (Muzeu i Njeriut) në Paris, ku janë edhe sot.

– Që atëhere kaluan shumë vjet dhe Shqipëria do të të shfaqej sërrish, ndoshta rastësisht. Por një tjetër Shqipëri.

– Ah, po ! Ashtu është, ishte një rastësi. Asistoja në një veprimtari rreth kulturës shqiptare të organizuar në Caen dhe dëgjova këngëtarë që këndonin këngën e Janino-së. U befasova. Po interesohesha rreth këngëtarit dhe më thanë se quhej Nazif Çelaj. Ishte po ai që kisha dëgjuar gjatë regjistrimeve në Vlorë në vitin 1983. Për mua ky pikëtakim ishte diçka fenomenale, e pabesueshme. Ndërkohë që interesohesha, një francez që vërtitej me shqiptarët që ishin aty e pyeta : « Po ju i njihni shqiptarët ? « Shqipërinë e njoh shumë mirë », – më tha ai. – Quhej Gerard Alba dhe prej disa vitesh shkonte në Shqipëri. Ai më tha se do të nisej pas pak kohësh në Shqipëri. Atëhere i kërkova që ta shoqëroja, dhe kështu u nisëm. Aventura ime filloi…

– Pas udhëtimit në vitin 2003, ti u riktheve sërrish në vitin 2004 dhe më 2005, organizove Koncertin e Grupit Polifonik të Vranishtit në Radio-France.

– Kisha bredhur shumë në jug të Shqipërisë, ku u njoha dhe me Nazifin. Regjistrova mjaft këngë. Kam rrahur fshatrat e Vranishtit, Dukatit, Lapardhasë e shumë të tjera. Madje, jam ngjitur gjer lart në malin e Tomorit, për festën e bektashinjve shqiptarë. Netëve flinim në qiell të hapur, mes qindra e mijëra njerëzve. Organizimi i një koncerti në Radio-Francë është i vështirë, edhe pse unë organizoja vazhdimisht koncerte me grupe të tjera popullore që vinin nga anë të ndryshme të botës. Por, me shqiptarët ishte ndryshe.

– Pse ndryshe ? – e ngacmoj unë, përsëri.

– Sepse për ta, duhej krijuar një ambient tjetër. Doja që të ishin të çliruar dhe mos ta ndjenin veten të mbyllur brenda një kabine regjistrimi, por para një tavoline, me meze e raki, siç ndodhte me ta në Shqipëri. Ishte hera e parë që në Radio-Francë improvizohej një tavolinë rakie. Tavolina ka mbetur ende atje dhe të gjithë e quajnë «Tavolina e shqiptarëve».

 

 

 

 

 

 

 

Njerëz dhe këngë

 

Regjistrimet e para të këngës popullore, Lortat-Jacob i përmblodhi në diskun e parë me muzikë popullore shqiptare të titulluar Chants Poliphoniques d’Albanie (Këngë polifonike nga Shqipëria). Ishte një nga disqet e parë që bënte të njohur polifoninë shqiptare jashtë teksteve politike siç kishte ndodhur në këngët e regjistruara më parë nga studiot shqiptare në vitet 80-të. Ky disk me këngë të regjistruara në Përmet, Vlorë, Korçë, etj, do të vlerësohej edhe me një çmim në koleksionin e Chant du Monde (Kënga e Botës). Disku i dytë, ai i koncertit në Radio-Francë, i quajtur Pays Labë – Chants de douleurs et de l’amour (Vendi Labërisë – Këngë dhimbjeje dhe dashurie), ishte një tjetër eksperiencë. Në grupin e Vranishtit është dhe Nazif Çelaj, miku i tij i vjetër si dhe Nikolin Likaj, Fatbardha Brahimi e Lapardhasë, Arap Çeloleskaj dhe Teki Kamani nga Vranishti, si dhe Manush Brahimi e Muhamet Tartari nga Lapardhaja. Këta të fundit, janë ata që mbajnë «ison», ndërsa të parët janë kush «marrësi», kush «kthyesi» apo «hedhësi» e që të gjithë bashkë bëjnë atë që quhet harmoni polifonike, virtuozitet. «Polifonia, kur është e arrirë, ka forcën e fshehtë dhe depërtuese të një magjije, – thotë Lortat-Jacob. – Ekzekutimi i saj i tejkalon rregullat e një gramatike muzikore që u lejon të ekzekutojnë nota dhe formula melodike të ngulitura në kujtesë nga të parët e tyre». Eshtë pikërisht kjo, që dhe spikat në këngët e tyre, jo vetëm kur këndojnë këngët e vjetra të dhimbjes e të dashurisë, por edhe një këngë e krijuar nga ngjarje të sotme tragjike që kanë tronditur ndërgjegjen popullore, siç e përcjellin përmes këngës së Otrantos, ku Nazif Çelaj këndon: «Do vite te deti / te deti do vij / do pres mbase të thahet / mbase do vish ti /… Imagjinata e këngës popullore mbart figuracione të habitshme, bën të lëvizin apo thahen detet, që i gjalli të pikëtakojë të vdekurin.

Edhe pse i dashuruar thellë pas këngës popullore, Bernardi është i shqetësuar për atë që ai me të drejtë ai e quan «erozion» të mjedisit ku përjetohet kënga popullore. «Sot në Shqipëri, nuk ekzistojnë më ritet e vjetra të festave popullore apo dasmave ku këndoheshin këngët popullore. Në dasmat e sotme, nëpër lokale, dëgjohen vetëm këngë variete. Organizmi i festivaleve folklorike nuk e zgjidh problemin e përjetimit të këngës në burimin e vet, atje ku dhe ajo lind.» Madje, Bernardi ka dhe një merak tjetër, që nuk heziton ta thotë: atë që miku i tij i afërt Shaban Zeneli, e quan «turbo-folk», pra gërshetimi muzikalisht i këngës popullore me një muzike ritmike moderne. Nëse kjo bëhet tendencë, ajo bëhet e dëmshme, pasi e largon këngën e popullit nga shtrati i vet muzikor.

Dëgjoj Bernardin tek i mban «ison» Shabanit dhe kjo ngjizje e çuditshme zërash, kaq e natyrshme, më bën të mendoj për dashurinë e tjetrit, e një francezi për një shqiptar, për atë sesi mund të duash një vend tjetër dhe të shkrihesh në botën dhe fatet e tij. Në këngë, kufijtë kanë humbur dhe vendi i njërit bëhet tokë e ëmbël e tjetrit.

– Cilët janë miqtë e tu, në Shqipëri? – e pyes unë.

– Oh, janë shumë. Kam miq ngado…  e Shabanit është dhe e imja.

Miqtë e tij, në fakt, janë së pari virtuozët e këngës.

– Refat Sulejmani, këngëtari çam, është një margaritar i këngës popullore.

Pastaj, ai më flet për këngëtarët e Himarës dhe Katerinën, që aq shumë e çmon për virtuozitetin e saj, si dhe për dy vëllezër fierakë që e kanë mahnitur gjatë një regjistrimi të fundit.

– Vetëm veriu më ka mbetur pa shkelur, – thotë ai dhe ne nisim një bisedë të gjatë për epikën legjendare, këngët e Mujit e Halilit, që ai i ka dëgjuar qysh në vitin 1983. Flasim për Ramadan Sokolin, Sokol Shupon, Vasil Tolen dhe studiuesin e ri, Bledar Kondi. Pastaj, unë i tregoj sesi në vitin 1986, bashkë me Gavrosh Haxhihysenin dhe Spartak Papadhimitrin shkuam në Curraj të Epërm, ku xhiruam një rapsod 105-vjeçar, që ende këndonte si në kohë të vjetra. Dy orë, një këngë. Dy muaj pasi ishim larguar nga ato thepisje, ai kishte vdekur.

– Atë film, do të shkoj ta shoh në Tiranë, – hidhet ai.

– Thuaj Viktorit, të të çojë, – i përgjigjem unë.

Viktor Sharra është miku i tij i afërt, që i prin në udhët e tij shqiptare.

– Dua të shkoj dhe në Curraj të Epërm!

– Të duhet të ecësh pesë orë në këmbë.

– Pse jo, – qesh ai…

Bernardi të duket si një bohem i zakonshëm, por në fakt, ai është një Doktor Shteti i Francës dhe themelues i Shoqatës Franceze të Etnomuzikologjisë. Botimet e tij janë të shumta dhe ai njihet si një autor prolifik e profesor i Sorbonës në fushën e muzikologjisë, etno-muzikologjisë, linguistikës dhe sociologjisë.

 

 

 

 

 

 

«Kënga e një vendi të humbur»

 

«Chants d’un pays perdu» është titulli i filmit dokumentar të xhiruar prej tij dhe të shfaqur para pak kohësh me rastin e Kongresit të Etno-muzikologjisë në Paris, në “Musée de l’Homme”. Një film që u nderua me “Çmimin e Parë”, krahas filmave të tjerë që trajtonin pikërisht fondin e pasur të këngës popullore ndër disa popuj të botës. Pas shfaqjes, Bernardin e takova në hollin e atij muzeu dhe e përgëzova për realizimin e filmit që vërtet më kishte prekur. Jo vetëm pse vetë i kisha vizituar ato treva të Çamërisë dhe isha mbarsur me këngën e vjetër çame, por sepse historia e atij këngëtari që nisej të kapërcente kufirin për të parë trojet e të parëvë, prindërve të tij, e bënin atë film tepër njerëzor. Këngëtari i njohur çam, Shaban Zeneli, e përshkoi gjithë atë itinerar përmes këngës. Kënga e ndjek hap pas hapi, deri sa nostalgjia e malli i tij klith në gërmadhat e shtëpisë së prindërve të tij. Një këngë e mbytur nga dhimbja në një dekor tragjik, këngë e një vëndi të humbur, siç e titullon Lortat-Jacob. Pikërisht këtë donte të filmonte dhe Bernardi: lindjen e këngës, proçesin sesi lind ajo. «Unë nuk jam kineast, – më thotë ai, – por ajo që më interesonte, jashtë konsideratave politike, ishte udhëtimi i këngëtarit drejt burimit të këngës». E habitshme është në film se, pikërisht në Filat, Kastri dhe fshatrat e tjera çame, atje ku Shabani këndon «Ulu mal të shoh të bukurat e Kastrisë/», ai pikëtakon atje çamët e vjetër, ata që guxuan të qëndronin dhe që nuk i kanë harruar këngët e vjetra edhe pse kënga e tyre heshti 50 vjet me radhë. Në këtë pikëtakim kënge, vargjet popullore shpërthejnë sërrish në gjuhën e mëmës. Ata këndojnë së bashku. Historia ka mbetur e ngjizur në këngë. «Ideja e këtij filmi, lindi nga vetë Shabani. Isha me Helenën, që studion këngët e Epirit, kur ai na propozoi ta ndiqnim në udhëtimin e tij. Dhe ne e ndoqëm. Ndoqëm këngën që lindte nga nostalgjia, madje dhe sesi lind ajo. Së pari, lind emocioni, pastaj lind melodia, pra emocionet mishërohen në melodi dhe më pas, lindin vargjet që i ngjizen kësaj melodie. Kjo është pra, të tregosh buronjën e këngës së popullit ».

Rasti e solli që me Bernardin dhe Shabanin, i cili ishte në Paris, për prezantimin e filmit, të mblidhemi në shtëpinë e Solange d’Angely, një mjekeje me nënë përmetare, të ardhur që në vitin 1924 në Francë.

– Solange, vëri Shabanit të dëgjojë arvanitët e tu, – i them asaj dhe shpejt, ajo vë diskun e vjetër që ka blerë 20 vjet më parë, në Paris, me regjistrime këngësh arvanitase. Këngëtari zë e këndon dhimbshëm. Është kënga e Osman Takës, pastaj «O e bukura Moré», që ndiqet nga Konstandini i vogëlith… Thanas Moraiti, i cili ka regjistruar dhe një disk të dytë «Kujtesa e gurit», është interpreti kryesor. Ulur krah Bernardit, Shabani është dhënë i tëri pas këngës dhe mërmërit të njëjtën melodi, si ta kishte dëgjuar në fëmijëri të tij. Po kështu dhe Bernardi, i cili për herë të parë që e dëgjonte këtë disk të publikuar me mbështetjen e Teodoraqit të famshëm. Pas këtij disku, Solange, që e ka bërë shtëpinë e saj si «bodrumet e Ali Babës» me qindra objekte, libra dhe disqe nga Shqipëria, na vë të dëgjojmë një disk tjetër, ca çamë të tjerë, muzikën e Petro Lukas.

– Janë instrumentistë virtuozë, – thotë i prekur Bernardi… Klarineta qan, klith, bashkë me të dhe llahuta. Bernardit i kujtohet Laver Bariu, të cilin e ka njohur vite më parë dhe ai nis të më flasë për të tjerë mjeshtër të mëdhenj shqiptarë.

Midis nesh është bota shqiptare, ku më i dashuruari nga të gjithë është Bernardi, ky bohem i tokës shqiptare

 

Luan Rama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqiptarët, një racë e rrallë; miq e armiq të turqve!”

‘Shqiptarët më 1904-ën’, si i përshkruante gazeta amerikane

Xhek Keruak - letërsia e momentit

“E gjithë jeta është një vend i huaj”


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale