MENU
klinika

Mesazhi

E para grua në krye të KE/ Meta uron Presidenten e re: Na mbështesni!

17.07.2019 - 09:27

Presidenti Meta ka dalë me një urim për Presidenten e re të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kjo e fundit është e para grua në këtë post.

Meta shkruan se është rast fatlum që KE të drejtohet në pesë vitet e ardhshme nga një grua, që mishëron përvojën e drejtimit të suksesshëm dhe vlerat më përfaqësuese të Bashkimit Evropian.

Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit Shqiptar i kërkon Presidentes së KE të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se do të nxisë bërjen e reformave që ofrojnë vendin tonë me BE-në.

Mesazhi i Metës:

Zgjedhja Juaj në postin e Presidentes së Komisionit Evropian, më jep kënaqësinë e veçantë t’Ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të lartë.

Është rast fatlum që Komisioni Evropian, për të parën herë, do të drejtohet në pesë vitet e ardhshme nga një grua që mishëron përvojën e drejtimit të suksesshëm dhe vlerat më përfaqësuese të Bashkimit Evropian, në një kohë sfidash të shumta e të shumëllojshme për kontinentin dhe mbarë botën.

Si President i një vendi që synon çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, përfitoj nga rasti t’ju shpreh mirënjohjen për qëndrimin tuaj në mbështetje të këtij procesi, si dhe për vijimin e politikës së zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor.

Njëkohësisht Ju siguroj për vijimësinë e angazhimit tim për nxitjen dhe mbështetjen e plotë të reformave që afrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët me Bashkimin Evropian, nën modelin e standardeve të pakompromentueshme evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Duke shprehur gjithashtu kënaqësinë e veçantë që Komisioni Evropian do të drejtohet nga përfaqësuesja e një vendi mik dhe partner strategjik, Gjermania, Ju lutem e nderuar zonja Presidente, pranoni, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!