Shqipëria dhe Turqia vijojnë të mbajnë një nivel të lartë të shkëmbimeve tregtare, edhe pse në kuadrin e përgjithshëm situata e eksporteve nuk paraqitet positive.
Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, rezulton se Shqipëria në nivel 6 mujori (janar-qershor) ka rritje të eksporteve me Turqinë.
Nga 880 milion lekë mallra që eksportoi në janar-qershor 2018, në janar-qershor 2019, shifra e eksporteve është rritur në 981 milion lekë. Gjithsesi, ajo që duhet evidentuar është se nëse analizojmë vetëm muajin qershor, eksportet me Turqinë kanë njohur rënie të konsiderueshme. Nga 254 milion lekë që u eksportua në qershor të vitit 2018, në qershorin e këtij viti shifra e eksporteve ka rënë në vetëm 99 milion lekë.
Importet
E njëjta tendencë konstatohet edhe më importet e Shqipërisë nga Turqia. Nëse analizojmë shifrat, rezulton se në rang 6 mujori importet janë rritur por në rang 1 mujori (qershor) ato kanë rënë.
Kështu, në janar-qershor 2018 Shqipëria importoi nga Turqia 25 miliardë e 180 milion lekë ndërsa në janar-qershor 2019, importet u rritën në 26 miliardë e 809 milion lekë.
Ndërsa në qershor 2018, importet ishin 4.7 miliardë lekë porn ë qershorin e këtij viti ato ranë në nivelin e 3.8 miliardë lekëve.
Ajo që mund të thuhet është se ndryshe nga partnerët e tjerë tregtarë, në 6 muajt e parë të vitit Shqipëria ka një rritje të shkëmbimeve tregtare me Turqinë. Megjithatë, nëse marrin si indikator atë që ka ndodhur me shkëmbimet në muajin qershor të këtij viti, mund të thuhet se tendenca është që muajt në vijim të mos vijojë të ndjekin linjën e rritjes.
Çfarë ka ndikuar të importet?
Ndikimin më të madh në rritjen e importeve rezulton se e kanë pasur grup-mallrat “tekstile dhe këpucë” ku kanë 6 muajt e parë të këtij viti ka një rritje me me 720 milion lekë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu rritje të konsiderueshme kanë edhe grup-mallrat “materiale ndërtimi dhe metale” ku rezulton se këtë vit janë importuar 1.8 miliardë lekë më shumë.