E ftuar në emisionin “Kjo Javë”, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi shprehet se marrëveshje politike me Edi Ramën nuk mund të ketë.
Ademi theksoi se s’mund të bëhet marrëveshje me kryezaptuesin e çdo pushteti, ndërsa shtoi se Rama po bën një politikë amorale.
“Marrëveshjet politike mendoj se s’do na japin drejtësinë. Nuk mund të ketë marrëveshje politike me amoralitetin dhe zaptuesin gjithçka.
Nuk mund të bisedohet me amoralitetin. Shpresoj që gjykatat shqiptare pas padive tona të vendosin drejtësi. Ndryshe mund të shkojmë drejt kaosit dhe nuk dihet se ku mund të shkohet pastaj.
Të tregosh forcën në emër të së drejtës mendoj se është e drejtë. Madje mendoj se duhet më tepër angazhim se kaq”, tha Ademi.
Voltana Ademi shtoi se të gjitha veprimet e saj janë legjitime dhe i përmbahen ligjit.
“Forca që marr unë, është një detyrë që kam përgjegjësi ta çojë deri në fund. Derisa njerëzit e duan, unë do ta coj deri në fund.
Unë jam shumë dakord që nuk mund të vazhdohet më kështu. Fakti që kemi kallëzime penale të forcave politike në Prokurori për shkelje të rënda, fakti që kemi padi për procesin dhe ilegjtimet të mandateve, mirëpo ndërhyrja në gjykata e politikës, ka bërë që kaosi institucional të jetë i rëndë”, deklaroi ajo.