Kisha e Shën Marenës është një ndërtesë e vogël njënefëshe që përbëhet nga naosi, narteksi dykatësh, hajati jugor i hapur në formë harkade dhe një kambanore me dy kambana. Ambientet e brendshme të saj, janë pikturuara të gjitha me afreske.
Manastiri në fshatin Llëngë, u inspektua nga afër dhe u dokumentua nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçë.
Manastiri përbëhet nga një kompleks vendesh në pronësi të tij, si kisha e Shën Marenës, Konakët, Najazma dhe shpella e Shën Marenës. Vendin kryesor në këtë kompleks, e zënë kisha dhe konakët.
Kthina e altarit të kishës ndahet nga naosi përmes një ikonostasi prej druri 6,5 metra i gjatë dhe katër metra i lartë, që për nga stili i dekorimit është i njëjtë me ikonostasët e kishave të Voskopojës dhe Vithkuqit. Tavani i kishës është prej druri dekorativ të pikturuar. Ikonostasi është gdhendur me motive lulesh. Gjithë pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpatarakut. Manastiri është monument kulture.
Afreskët e kishës janë ndarë në pesë breza horizontalë, të pikturuar nga mjeshtri Kostandin Shpataraku. Ai ka pikturuar gjithashtu edhe disa ikona të ikonostasit, kryqin mbi të, dyert e bukura, si edhe një balkadin me 15 figura dhe 17 ikona të vogla.
Motivet e pikturuara janë motivet kishtare tipike të kohës, si skena nga jeta e Krishtit, Shën Marisë dhe vetë Shën Marenës, të cilës i kushtohet kisha. Ato i përkasin që të gjitha, periudhës së ndërtimit të kishës, pra vitit 1754.