Një shtetas shqiptar i dënuar me 25 vite burg për vrasje, është ekstraduar sot nga Greqia.
Policia njofton se Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Athinën, kanë kryer ekstradimin nga Greqia drejt vendit tonë të shtetasit Fatos Metushi, 53 vjeç, lindur në Boçovë, Fier.
Fatos Metushi, ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin penal të datës 23.02.2000, e ka dënuar me 25 vjet burgim për veprën penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi Fatos Metushi në vitin 1997 në fshatin Boçovë, Fier ka vrarë me armë zjarri shtetasin S. A.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinë/Greqi, u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.