Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi 22 gushtin si datën për mbajtjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit të Legjislaturës së VI.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, vendimin e kryesisë së Kuvendit për të mbajtur seancë me 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit, e ka cilësuar si veprim të duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.
“Ky vendim, do t’i hapë rrugë procesit zgjedhor në vend, si opsion i vetëm dhe i domosdoshëm.
Kthimi i mandatit te sovrani dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike, janë jetike për vendin dhe për proceset e rëndësishme që na presin”, deklaroi ai.
Haradinaj shtoi se është për t’u përshëndetur edhe vendimi i kësaj kryesie, që para shpërbërjes, Kuvendi të votojë për Marrëveshjen Ndërkombëtare IPA2, nga e cila Kosova fiton rreth 90 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.