MENU
klinika

Përsosmëria

Kodikët e Da Vinçit

05.08.2019 - 13:44

        Me Leonardo Da Vinci – kryemjeshtri artit

 

Majin e këtij viti kaluan pesë shekuj që nga vdekja e Leonardo da Vinci-t dhe emri i tij mbetet gjithnjë një nga referencat më të fuqishme të artit e po ashtu dhe të shkencës. Shtëpia ku Leonardo da Vinçi kaloi vitet e fundit të jetës së tij nuk është në Itali, siç mund të mendojë ndokush, as në Milano, Firence, Venecie  apo Romë. Kjo shtëpi është mijra kilometra larg vendlindjes së tij, matanë Alpeve, atje ku rrjedh lumi i Loire-s dhe ku buzë saj, në zemër të Francës, ngrihen radhazi kështjella mesjetare nga më madhështoret në Europë./Konica.al

 

 

 

 

 

Da Vinci, ky toskanas i një familje fshatare nga Vinci, erdhi këtu në fillim të vjeshtës së vitit 1516 ndërkohë që Raffaello mbretëronte me artin e tij në Vatikan, Michelangelo në Firence dhe Ticiani në Venecie. Bashkë me ndihmësin e tij, Francesco Melzi dhe shërbëtorin milanez Batista de Vilanis, Leonardo përshkoi rrugët e Milanos, Firences, Torinos e më pas Alpet e malet e Grenobles, duke iu drejtuar Lyon-it dhe duke ndjekur më pas me karrocë rrugën drejt Vierzon dhe Cher gjersa mbërriti në Amboise, ku ishte dhe një nga kështjellat mbretërore të Francës së François I. Një udhëtim që do të zgjaste tre muaj e ku bashkë me të do të udhëtonin dhe sundykët me vizatimet dhe pikturat e tij, duke parandjerë se ky mund të ishte udhëtimi i tij i fundit. Mbreti i Francës, i apasionuar siç ishte pas arteve dhe që kishte dëgjuar shumë për të, e kishte takuar Da Vinci-n në Milano dhe kishte biseduar më të. Më pas, nga Franca, ai i kishte shkruar dhe e kishte ftuar të jetonte e punonte pranë tij në Francë, në një ndërtesë kalorësiake pranë kështjellës së tij, në anën tjetër të lumit, në Clos Lucé, larg luftrave të gjata të Italisë që po i shkatërronin gjithnjë e më shumë principatat e princave italianë. Kështu Da Vinci u vendos në atë ndërtesë mesjetare me tre kate, prej guri dhe me një oborr të madh plot pemë e gjelbërim, të ndërtuar që më 1471 në stilin e Renesancës. Dhoma e Da Vinçit ka mbetur edhe sot ashtu siç ka qenë shekuj më parë në një atmosferë mesjetare: krevati i lartë me perde, karriget ku ulej dhe punonte, oxhaku i madh e hijerëndë, tavolinat e punës, dritaret dhe muret e ashpra. Pikërisht aty filloi tablonë e famshme «Saint Jean Baptiste» një nga tablotë e fundit dhe të mrekullueshme të tij. Rreth fytyrës së shenjtit Gjon Pagëzor, ai ka hedhur me penel ato flokë plot bukle të ndriçuara nga një dritë jo e zakontë e ku fytyra e shenjtit ka një buzëqeshje enigmatike për të cilën shumë kritikë thonë se kjo tablo është testamenti piktural i vetë Leonardo-s për natyrën njerëzore. A thua kjo tablo ishte testamenti shpirtëror i artistit të madh? A thua se në të fshihet misteri i natyrës njerëzore që kërkonte prej kaq vitesh Da Vinci?

 

 

 

 

 

 

Clos Lucé është sot një vend mjaft turistik. Nga kodra lart mund të pikasësh rrjedhën e qetë të Loire-s dhe në bregun tjetër, Blois me kështjellën e famshme mbretërore. Leonardo sapo ishte vendosur në Clos Lucé, kur më 18 tetor të vitit 1516, kishte mbërritur ta takonte kardinali francez Louis d’Aragon, i cili vinte nga Flandra, ku kishte shkuar të takonte Charles Quint, dhe gjatë atij takimi, Leonardo i kishte treguar Xhakondën e tij dhe tablonë tjetër Saint Anne që i kishte marrë me vete gjatë kalimit të Alpeve si dhe tablonë e Gjon Pagëzorit që kishte në përfundim e sipër. Sigurisht, vizatimet e shumta të Da Vinci-t mbi anatominë e njeriut, hidraulikën, mekanikën, gjeometrinë, fluturimet e zogjve, mundësinë e fluturimit të objekteve në qiell, etj, e magjepsën kardinalin, siç shkruan dhe sekretari i tij Antonio De Beatis që e shoqëronte: «Zoti Leonardo da Vinci, i moshuar mbi 70-vjeçar, piktor i epokës sonë, i tregoi tre tablo Sinjorisë sonë (kardinalit): një zonjë fjorentinase, një figurë natyrale bërë me kërkesën e të Mrekullueshmit Guglio II, një tjetër me Saint Jean Baptiste, i ri dhe një Virgjëresha me fëmijët, që janë në gjunjë të Shën Anës. Të trija janë me një përsosmëri të rrallë… I famshmi Leonardo nuk mund të pikturojë tashmë me atë hirësi që është e tija, por ai vazhdon të vizatojë e të japë mësime. Ky njeri me shpirt fisnik, ka shkruar një libër anatomie tepër të veçantë, të ilustruar, me gjymtyrët, muskujt, nervat e trupit, venat, etj, libër që të jep mundësinë të zbulosh trupin, çka askush më parë nuk e ka bërë. Ai ka shkruar gjithashtu mbi ujin, mekanizmat e ndryshme, etj

Në dhomën e punës së Da Vincit, sot shikon të jenë të vendosura dhjetëra objekte që i përkasin një shkence që lulëzoi nga imagjinata e tij e ku gjithçka që dilte nga dora e mendja e tij ishte përrallore. Aty janë vizatimet dhe skicat e avionit të parë të imagjinuar nga njeriu, e tankut të hekurt, parashutës, nëndetëses, e armës automatike, e aparatit fotografik të imagjinuar para Niepce-s, apo e skijimit mbi ujë, e fortesave mbrojtëse dhe eskavatorëve të mëdhenj, vizatimet e të cilave i gjejmë në kodikët e tij, etj. Por në të njëjtën kohë ai merrej dhe me matematikën, gjeometrinë, luante muzikë dhe organizonte për mbretin festa të jashtëzakonshme, ndërtonte dekoret, organizonte fishekzjare për festat mbretërore dhe objekte fluturuese si ballona të mëdhenj, apo një luan të hekurt që lëvizte mbi këmbët e tij, pra një robot primitiv i para pesë shekujve, të cilat i tregoi edhe në pritjet e mëdha mbretërore, në fillim në Milano, para mbretit francez Louis XII e më pas para François I. Të tilla ishin dhe ndeshjet kalorsiake pranë kështjellës mbretërore të Amboise, ku ai ndërtonte kështjella në miniaturë prej druri dhe ku ndër kalorësit e mëdhenj që ndesheshin, ishin dhe stratiotët shqiptarë të cilët ishin nën urdhërat e Domenico Buziki-t që kishte luftuar në betejën e Marignanos më 1515, nën flamurin e mbretit të Francës. Eshtë interesant pasioni i Leonardos për armët e luftës dhe fortifikimet e kështjellave, edhe pse ai e cilësonte luftën “pazzia bestialissima” një “çmenduri kafshore”, por kjo nuk e pengoi të mendonte për polombarët dhe ata që do të fundosnin në det anijet armike, topat e rëndë apo barrazhet me ujë për përmbytjen e ushtrive armike, siç kishte menduar për devijimin e lumit Isonzo për mbrojtjen e Friulit, etj. Ja një “ingenium”, njeriu gjenial!

Historianët shkruajnë se Jaconde apo Monalisa, e vitit 1506, u ble nga mbreti që në të gjallë të Leonardos, ndërsa tablonë tjetër Shën Gjon Pagëzori (Saint Jean Baptiste), meqë mbretit nuk i pëlqente shumë, kjo tablo kaloi në ambiente të tjera dhe me kalimin e kohës përfundoi nga sallonet e Louis XIII te Karli I i Anglisë e më pas ajo u ble sërrish nga Louis XVI gjersa përfundoi në Luvër, si dhe tabloja tjetër Shën Ana. Një vit para se të vdiste, mbreti francez François I erdhi sërrish në shtëpinë e tij, meqë ai e vlerësonte shumë shoqërinë me Leonardo-n, të cilin e konsideronte si filozofin, artistin dhe shkencëtarin më të ditur të botës, duke thënë: «S’ka njeri më të ditur se Leonardo, jo vetëm në pikturë, skulpturë e arkitekturë por dhe në filozofi, pasi ai është një filozof i madh”. Dhe padyshim, ai ishte i tillë. Pra, në 19 qershor të vitit 1518, siç dëshmonte dhe historiani italian Galeazo Visconti, mbreti pikasi në oborr një kupolë gjigande prej pëlhure në ngjyrë blu, ku ishin pikturuar plot yje si dhe planete, çka u shfaqnin para sysh një kozmos më vete. Mbreti ishte magjepsur nga vizionet astronomike së Leonardo-s. Në gjithë ato drita, «dukej se Leonardo kishte përzënë natën e errët»… shkruante Vinsconti. Në atë kohë, Leonardo kishte titullin «Piktor, inxhinier dhe arkitekt i parë i Mbretit» me një pagesë prej 1000 ecu në vit dhe ndërkohë hartoi projektin e shkallëve të kështjellës së famshme Chambord, më e bukura në botë, shkallare me një imagjinatë të jashtëzakonshme dhe që i magjepsin të gjithë ata që i shikojnë sot./Konica.al

 

 

 

 

 

 

Dora që dridhej

 

Shtëpia në Clos Luce sot ka me mijra vizitorë që vijnë nga Franca, Europa apo kontinentet e tjerë për të parë atë vend mitik ku jetoi, punoi dhe vdiq një prej njerëzve më gjenialë të njerëzimit: Leonardo da Vinçi. Në gjithë Francën, duke filluar nga mbreti mecen dhe një nga mbretërit më të mëdhenj të historisë së këtij vendi, Da Vinci mbahej si njeriu që dinte gjithçka në këtë botë dhe që mund të bënte gjithçka. Në atë kohë, si dhe gjatë njëzet vjetëve të fundit të jetës së tij, krahas pikturës, ai vazhdonte të merrej me projektet e mbrojtjes së kështjellave, e armëve të luftës, e kanaleve vaditëse dhe të transportit. Gjenia e tij ishte e shumanshme: nga një anë punonte mbi tablotë e tij dhe nga ana tjetër vizatonte mekanizmat që mund të fluturonin, studionte fluturimin e zogjve, krijonte dekore për festat e mëdha mbretërore, ndërtonte kështjella në miniaturë, hidhte fishekzjare në ngjarjet e mëdha mbretërore apo merrej me anatominë e kuajve. Imagjinata e tij i kalonte padyshim kufijtë e kohës në të cilën ai jetonte. «Facil cosa e farsi universale»? (A është e lehtë të bëhesh universal?» – pyeste ai. Shpesh, mbreti i Francës e merrte për shëtitje në udhëtimet e tij nëpër Francë, në Romorantin, ku donte të ndërtonte një kështjellë të re mbretërore, etj. Për kanalizimin e Loire-s dhe vaditjen e tokave përreth, Da Vinci bëri projekte të mëdha, por mbreti nuk arriti dot t’i vinte në zbatim. Ato do të realizoheshin më vonë./Konica.al

Që kur erdhi në Francë, Leonardo kishte ndjerë një rëndesë të dorës që sa vinte dhe bëhej më shqetësuese, çka e pengonte të pikturonte. Vallë ishte kjo arsye që ai e la pikturën dhe u dha tërësisht ndaj shkencës dhe shpikjeve të mëdha? Mjeshtri u detyrua të thërriste një ndihmës nga Milano. Një mbrëmje, i ulur pranë oxhakut, Leonardo kishte shkruar: «O Leonardo, perche tanto penate?…» (Përse kaq lodhje?)… Mos vallë mjeshtri ishte zhgënjyer nga gjithë mundi i jetës së tij, ndërkohë që e shikonte vetveten të pamundur. Kur kardinali Louis d’Aragon kishte shkuar si mik te Leonardo, sekretari i tij kishte shkruar gjithashtu: “… Eshtë e vërtetë se me një paralizë të dorës së djathtë, nuk mund të pritet ndonjë kryevepër tjetër”. E megjithatë Leonardo vazhdonte të vizatonte me ngulm, siç e tregon dhe një shënim i tij në një nga fletët e vitit 1518, ku ai ka shkruar: “Do të vazhdoj të punoj…”

Më 23 prill të vitit 1519, Leonardo kishte thirrur noterin për të bërë testamentin e tij. E ndjente që vdekja po i afrohej. Në testament, ai i la pothuaj gjithçka Francesco Meltzi-t, të cilin e konsideronte si një bir të tij. Edhe për varrimin, ai e kishte përcaktuar vetë sesi do të zhvillohej. Çuditërisht gjeniu kishte kërkuar të shoqërohej në varr nga gjashtëdhjetë të varfër, ku secili prej tyre do të mbante në dorë një pishtar. Pak ditë më vonë ai kishte shkruar: «Ashtu siç një ditë e ngarkuar me punë sjell një gjumë të ëmbël, ashtu dhe një jetë kur ke bërë diçka, sjell një vdekje të paqtë».

 

Përsosmëria

 

Edhe pse Leonardo mendonte se nuk mund ta arrinte ”Përsosmërinë”, bota pas tij e pohoi me plot gojën se ai ishte artisti i përsosmërisë. Pikërisht dora dhe mendja e këtij artisti i lanë historisë botërore të artit vepra të jashtëzakonshme, duke filluar me Darka e fundit, (La Cena), Mona Lisa, Shën Jean Baptiste, Gruaja me herminë, etj… Në kujtimet e një prej bashkëkohësve të Leonardo-s, Matteo Bandello (botuar në La Novelle, 1554), duke folur për kohën kur Leonardo punonte për afreskun La Cena në murin e manastirit “Santa Maria Grazie” të Milanos (1493-1498), shkruante: “Shpesh Leonardo vinte në manastir që në ag dhe këtë e kam parë me sytë e mi. Duke u ngjitur me shpejtësi në skelë, ai punonte gjithë ethe gjer në mbrëmje kur hijet e natës e detyronin të ndalonte. Asnjëherë nuk e kishte mendjen të hante, aq shumë ishte i dhënë pas pikturës. Në kohë të tjera qëndronte ditë të tëra pa punuar, duke ardhur veçse pak kohë dhe qëndruar ballë afreskut pa e prekur atë, ashtu duarkryq, duke vështruar nga figurat e tij si të donte t’i kritikonte…»

Ky afresk në tempera e bojë vaji, me dy shtresa allçie vendosur nga duart e mjeshtrit me figurat e Krishtit dhe apostujve të tij në tavolinë, u bë referencë në gjithë pikturën e «Rinascimento»-s e pas tij dhe jo vetëm atë italiane por dhe në veprat e piktorëve të Rilindjes europiane. Në portretet e Leonardos ka një mjeshtëri të jashtëzakonshme të dritë-hijes, njëj «sfumato», siç e cilësojnë kritikët italianë, pra të kalimit nga në sfumaturë apo shkrirje e dritës me errësirën, çka krijon një dimension të tretë ku të krijohet iluzioni se forma humane del nga errësira në dritë në mënyrë misterioze. Një dimension tjetër i portreteve të etapës së fundit në pikturën e tij është ajo e «enigmës», pasi portretet e tij janë enigmatike, sikur të fshehin diçka. Përse gjatë pesë shekujve, historianët e artit e kanë patur të vështirë zgjidhjen e këtyre enigmave? Vallë Xhakonda, është gruaja e fisnikut Francsco Giocando; është vallë «Mona Lisa napolitana» (një e ve që më pas u dashurua me një poet napolitanas) siç thonë disa të tjerë, apo vetë portreti i Leonardos, siç e thotë me forcë dhe një kritike amerikane e artit dhe studjuese e Xhakondës. Gjetja e gërmave «L» dhe «V» në tablo i shtyu historianët të dyshojnë se Leonardo kishte pikturuar portretin e tij. Stendali thoshte për këtë portret si «ai simbolizon misterin e universit». A nuk thoshte Leonardo, në fund të fundit «Jepu figurave të tua një qëndrim që rilevon diçka të re nga mendimet që kanë shpirtrat e personazheve, përndryshe arti yt nuk do t’i meritojë lëvdatat»? Dhe vërtet, duke admiruar mjeshtërinë e pikturimit të tij, çdo njeri e ndjen se duke qëndruar pak më shumë para personazheve të tij, ai fillon një udhëtim të heshtur në kërkim të botës së tyre, thelbit të tyre dhe kohën në të cilën ata kanë jetuar, duke qenë njëkohësisht protagonistë të epokës… Ishte dora e Leonardos që na la pas dhe vizatimin e famshëm «Njeriu i Vitruvit», të vitit 1492, i nxitur nga libri «De architectura» e Vitruve dhe që në shekullin e XX u kthye në një figurë emblematike e përcaktimit të përsosmërisë së dimensioneve dhe proporcioneve njerëzore në artin e pikturimit të figurës së njeriut. Nëse në veprën e tij filozofike, Filostrati i Vjetër përmend një aksiomë të Horace që thoshte se «piktura është një poezi e heshtur, ndërsa poezia një pikturë që flet», te Leonardo ne kemi të bëjmë jo thjesht me një poezi, por me një poemë të gjatë epike, si ciklet legjendare mesjetare, sa e vjetër aq dhe moderne. Eshtë interesante ajo që shkruante Leonardo në «Traktati i pikturës», ku pohonte: «Syri i quajtur dritarja e shpirtit është rruga kryesore nga ku intelekti ynë mund të çmojë plotësisht dhe në mënyrë të mrekullueshme veprën e pafund të natyrës… Nëse ti e quan pikturën «poezi e pagojë», piktori mund ta quajë artin e poetit «pikturë e verbër». Atëherë gjykoje se cila gjë është më e rëndësishme: të jesh i verbër apo memec… Gjyko atëherë se cila është thelbësore te njeriu, emri i tij apo imazhi i tij? Emri ndryshon sipas vendeve, forma e tij nuk ndryshon, veçse nëse ai vdes…»

 

 

 

 

 

 

Duke kujtuar Leonardo-n në shtëpinë e tij në Clos Lucé buzë lumit Loire, le të sjellim një pasazh nga teksti i studjuesit të Rilindjes italiane, piktorit dhe biografit Giorgio Vasari, i cili duke folur për Da Vinci-n, në veprën e tij “Jeta e Leonardo da Vinci, piktor dhe skulptor fjorentinas” shkruante: «Nganjëherë, në mirësinë e vet, qielli ngjiz te një njeri gjerat më të çmuara që lenë gjurmë në jetën e këtij të privilegjuari por që më shumë dëshmon për gjeninë humane sesa për një favor të veçantë të Zotit. Da Vinci, vlerat dhe hiret e të cilit nuk janë vënë në dukje aq sa do duhej, ishte një nga ata të privilegjuar. Aftësia prrallore e bënte atë të triumfonte lehtësisht mbi vështirësitë më të mëdha. Forca e tij e veprimit dhe kurajo, kishin vërtet diçka mbretërore e madhështore  dhe fama e shndritshme gjatë jetës së tij u shtua edhe më shumë pas vdekjes së tij…»

Shohim nga afër tablotë e mëdha të Leonardo-s si Virgjëresha me fëmijën, Portreti i Ginevra da’Benci, Shën Anën, Portretin e zonjës Ferronière (apo Xhakonda tjetër siç e cilësojnë specialistët) dhe Shën Jean Baptiste me gishtin ngritur drejt qiellit dhe menjëherë humbasim në hiret njerëzore që rikrijon Leonardo me penelin e tij: vështrojmë sytë, duart, linjat fine me një përsosmëri të tillë, aq sa të lënë pa frymë. Eshtë mrekullia vetë që shfaqet para teje. Mjerisht ai nuk e mbaroi projektin e tij të madh për afreskun e Betejës së Angharit në hollin e Palazzo Vecchio në Firence, por vizatimet e kësaj beteje, e kuajve dhe kalorësve, janë padyshim të paarritshme dhe kanë qenë modele për piktorët e mëdhenj që u shfaqën pas tij në botën e artit.

Mjafton të qëndrojmë një kohë të gjatë përballë Shën Jean Baptiste për të kuptuar se deri në ç’kufij shkon artisti me fuqinë e artit të tij. Kryevepra e mbërthen menjëherë publikun. Aty është magjia…

 

 

 

 

 

Kodikët e Da Vinci-t                                                    

 

Siç dihet, sipas testamentit të tij, pas një inventari të hollësishëm të tablove, vizatimeve, shkrimeve për pikturën, arkitekturën, shpikjet shkencore, esetë filozofike, etj, gjithë dokumentet e mjeshtrit të madh toskanas kaluan në trashëgimi të nxënësit të tij Francesco Meltzi, i cili e ndoqi atë deri në çastet e fundit. Shumë shkrime për artin, Meltzi i mblodhi dhe i tërhoqi në shtëpinë e tij në Vapria Adda, pranë Milanos, dhe hartoi atë që u quajt “Tratatto della pitura”. Ai donte t’i shiste shënimet dhe vizatimet e Leonardos, por askush nuk i blinte, pasi i shikonin pa ndonjë interes. Më vonë, dokumentet u shpërndanë dhe u shitën nga princat, fisnikët e mëdhenj dhe njerëzit e interesuar për gjeninë e Da Vinci-t. Por interesi për to u shtua më shumë gjatë shekullit XX, kur disa biblioteka dhe muzeume të Europës dhe të Amerikës filluan t’i blenin për arkivat e tyre. Në vitin 1965 u gjetën dy volume me dorëshkrime të Leonardo-s me 700 faqe, të cilat ishin në arkivin e Bibliotekës së Madridit, me vizatime inxhinjerike të jashtëzakonshme. Ato u quajtën «Kodikët e Madridit». Një nga më të fundit ishte dhe një shitje e Kodikut të Da Vinci-t në vitin 1994, prej 72 faqesh me shkrime e vizatime të viteve 1506-1508, (përfshi këtu vëzhgime mbi masën dhe formën e hënës), kur patroni miliarder i «Occidental Petroleum», amerikani 83 vjeçar Armand Hammer kërkonte një shifër astronomike: 23 milionë franga, ndërkohë që Bibla e Guttenberg në New York, më 1978, kishte kushtuar veçse 10 milion. Shkrimet dhe vizatimet e tij të shpërndara nëpër kodikë të ndryshëm, herë-herë janë të një periudhe apo të një fushe të caktuar dhe herë të tjera janë të përzjera. Ndër kodikët e sistemuar nga studjues të Da Vinci-t, kodikët e mjeshtrit janë kualifikuar në: «Codex Arnudel», koleksion ky që ruhet në British Library me dokumente që kapin periudhën 1498-1518, me vizatimet për kanalin e Romorantin të Francës, të cilin e kishte porositur François I; «Codex Forster»  (John Forster), që ndodhet po në Londër, por në Victoria and Albert Museum (më së shumti me dokumente rreth gjeometrisë, hidraulikës, etj; «Codex Atlanticus»,  me 12 volume, i cili gjendet në Bibliotekën «ambrosiane» të Milanos dhe që përfshin skica e shënime për balistikën, astronominë, gjeometrinë, hidraulikën, etj, kodik ky që u muar nga Napoleoni kur pushtoi Milanon, por që u kthye më pas; «Codex Trivulzianus», i cili gjendet në kështjellën e princave Sforza të Milanos, me shënime e skica rreth arkitekturës, anatomisë, kuajve, gjeometrisë, ku madje ka dhe karikatura; «Codex Ashburnam» i ndarë në dy pjesë, ku njëra ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës, BNF dhe tjetra në Bibliotekën e Institut de France; një kodik mbi fluturimin e zogjve që ndodhet në Bibliotekën Mbretërore të Torinos, etj. Nga 13.000 vizatime që kishte trashëguar nipi i tij Melzi, sot ekzistojnë veçse 7.000. Sidoqoftë, para se të vdiste, krahas vëzhgimeve të tij për madhësinë dhe formën e hënës, Leonardo shkroi dhe një vëllim të fundit me mendimet e tij për pikturën./Konica.al

 

 

Luan Rama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Miti modern i Da Vinçit

500 evente për 5 shekujt


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB