Emigracioni i shqiptarëve pas viteve ’90-të, ka mbartur me vete edhe plagën e harrimit apo asimilimit të gjuhës shqipe, për brezin e lindur atje. Traditat dhe zakonet shqiptare, që janë bërë tashmë pjesë integrale e kulturës botërore, mbeten një element shumë i rëndësishëm i identitetit kombëtar shqiptar dhe si të tilla, jo rrallë vijnë në vëmendje të Tiranës zyrtare për bashkatdhetarët.
Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, për shumë prindër mbetet shumë i rëndësishëm dhe prioritet. Jo pak vende në botë, tashmë e ofrojnë këtë mundësi dhe klasat e mësimit të gjuhës amtare, po shtohen dita-ditës.
Një lajm të tillë, ka bërë të ditur ditën e sotme, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili njoftuar se edhe këtë vit, në Greqi do të hapen klasat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
“Në Athinë, Greqi edhe këtë vit do të hapen klasat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Nxënësit e komunitetit shqiptar atje, mund të regjistrohen deri më 29 shtator, për të vazhduar mësimin për gjuhën dhe kulturën shqipe, që do të fillojë gjatë muajit tetor”, – ka shkruar, Majko.
Ndërkohë, prej vitit 2016, komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Selanik, kishin bërë përpjekje që fëmijët e tyre, të mësojnë në gjuhën shqipe./Konica.al