Ish-deputeti i PD-së, Astrit Patozi, ka reaguar në lidhje me nismën e re të iniciuar nga Partia Demokratike, për Vetting-un në politikë.
Sipas tij, ajo çfarë do të ndodhë, është se dy palët do mundohen t’i lënë njëra-tjetrës dopio gjashtën në dorë, dhe si përfundim vetting-u nuk do të bëhet.
Më tej ai nuk ka hezituar të përdorë dhe deklaratat e forta kundër Bashës të cilin e konsideron si dikë i cili po përdoret nga kryeministri Rama.
Më tej ai thotë:
“Nuk më pengon asgjë të them se, në rast se Basha e ka seriozisht sfidën apo projektin e vettingut, unë do ta mbështes në të gjitha rastet. Por dyshoj te ky seriozitet, sepse kam parë zhvillimet pas lançimit të idesë, që më lënë një shije të keqe.
Mënyra sesi janë sjellë palët që nga dita e anonçimit nga Basha, është e tillë që të krijon idenë e një teatri, ku të dyja palët nuk duan që të bëhet, por që po përpiqen me shumë sforco që t’ia lënë dopio gjashtën në dorë palës tjetër.
Është një ngjarje e sigurt. Është një truk i të dyja palëve, por në këtë rast opozita ka më shumë përgjegjësi për dy arsye: së pari, sepse ishte ajo që e lançoi dhe mund ta evitonte nëse nuk e kishte seriozisht; dhe së dyti, sepse opozita është ajo që duhet ta shkundë pushtetin që të shkojë në moralin e saj”, -përfundon Patozi.
Nismën për vetting-un, në politikë, e prezantoi kreu i opozitës, Lulzim Basha, e cila u mbështet edhe nga kryeministri Rama, i cili ftoi Bashën për një tryezë të përbashkët.
Kjo nismë, bën fjalë për hetimin e politikanëve, zyrtarëve të institucioneve, si dhe kryeministrin, njëlloj siç po veprohet me gjyqtarët dhe prokurorët.