MENU
klinika

Washington Post

Pas Danimarkës, Trump duhet të anulojë vizitën në Poloni

23.08.2019 - 08:43

Pas anullimit të vizitës së tij në Danimarkë, Trump duhet të anullojë vizitën e planifikuar në Poloni në fund të këtij muaji.  

Kjo nuk do të thotë që Polonia nuk është një aleat i rëndësishëm. Është, ashtu si Danimarka, megjithëse kjo nuk e ndaloi Trump të anulonte një udhëtim në Kopenhagë këtë javë. Trupat polake kanë luftuar dhe kanë vdekur së bashku me vëllezërit e tyre amerikanë në luftë, si në Afganistan ashtu edhe në Irak. Dhe 80-vjetori i shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, përkujtimet e të cilës do të mbahen në Varshavë, meriton praninë e liderëve më të mëdhenj në botë.

Pikërisht sepse marrëdhënia amerikane-polake është e rëndësishme, dhe sepse simbolikat kanë rëndësi, ceremonitë e javës së ardhshme nuk duhet të shndërrohen në një tjetër nga marifetet e Trump.

Një problem është se Trump dhe figurat kryesore në administratën e tij ndjehen të “detyruar” disi moralisht për të shkuar në Poloni për arsye ideologjike. Ata ndajnë të njëjtat pikëpamje të partisë qeverisëse të Polonisë Ligji dhe Drejtësi lidhur me politikën kufizuese të imigracionit, skepticizmin ndaj Bashkimit Evropian dhe çështje kulturore siç janë aborti dhe të drejtat e LGBTQ.

Vizita e Trump është planifikuar të zhvillohet në një moment kur Polonia po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare polarizuese. Beteja për çështje të diskutueshme kulturore janë duke u zhvilluar, përfshirë të drejtat e LGBTQ, skandalet e abortit dhe abuzimit seksual në Kishën Katolike.

Çdo gabim që mund të bëjë Trump, siç është përfshirja e tij në luftërat ‘e hidhura’ kulturore të vendit ose marrja pjesë në fushatën parlamentare në vazhdim, do ta kthejë partneritetin midis Shteteve të Bashkuara dhe Polonisë në një çështje partizane dhe do të bëjë dëm të pariparueshëm pasi qeveria në Varshavë të ndryshojë.

Ekziston një burim tjetër për shqetësimin në lidhje me vizitën e Trump: Ndërkohë që liderët e Polonisë janë të përkushtuar ndaj marrëdhënies transatlantike dhe ndaj kërcënimit që Rusia i paraqet vendit të tyre, ata janë larguar nga vlerat themelore të aleancës NATO.

Më e rëndësishmja në këtë “sulm nga brenda” NATO ka qenë një politizim i paparë i gjyqësorit të Polonisë.

Normalisht, një president amerikan do të kërkonte të krijonte një ekuilibër midis angazhimit të Varshavës për çështje me interes të ndërsjellë, siç është mbrojtja dhe bashkëpunimi energjetik, dhe ruajtjes së standardeve të demokracisë, lirisë individuale dhe sundimit të ligjit, të cilat janë të gjitha thelbësore për kohezionin e aleancës.

Nuk ka asnjë arsye të presim që kësaj radhe Trump do të arrijë ndonjë gjë, përtej thellimit të përçarjeve tashmë ekzistuese në politikën polake.

Për hir të shëndetit afatgjatë të demokracisë së Polonisë, NATO-s dhe partneritetit amerikan-polak, do të ishte më mirë që presidenti të qëndrojë në shtëpi javën e ardhshme.

Melissa Hooper dhe Dalibor Rohac

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Editorial i The Guardian

Groenlanda nuk është në shitje!

Nga Wall Street Journal

Trump mund të blejë Groenlandën!?