Gjatë ceremonisë së organizuar nga ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Postën e Kosovës, përkatësisht Filatelinë e Postës, u publikua pulla postare në nderim dhe vlerësim të figurës së shquar, ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha – raporton, RTKlive.
Me motivacionin e dhënies së kontributit në muzikën e mirëfilltë shqiptare, në rritjen e vlerave kulturore në shoqërinë tonë, me iniciativë të ministrit në detyrë Kujtim Gashi, Posta e Kosovës i dedikon legjendës së gjallë më muzikës shqipe Nexhmije Pagarushës, Pullën Postare.
Më këtë rast, Gashi tha se “sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne pra, lansimi i pulës Postare dedikuar ikonës së muzikës Nexhmije Pagarusha e cila ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe traditave të vendit tonë me zërin e saj prej bilbili, me pjesëmarrjen e saj në festivale e skena të njohura ndërkombëtare”.
Ai tha se, me angazhimin e tij dhe të stafit të MKRS-së, është marrë iniciativa për pension shtetëror i përmuajshëm për Nexhmije Pagarushën.
Sipas tij, së shpejti MKRS-ja do të botojë një monografi për mbretëreshën e këngës shqipe, ‘Bilbilin e Kosovës’, si dhe në vendlindjen e saj në Pagarushë të Malishevës, do të ndërtohet qendra e kulturës për nder të saj.
Mbesa e Nexhmije Pagarushës, e cila pranoi plaketën e emisionit të ri të pullave postare, në emër të familjes e vlerësoi si mirënjohjen më të mirë, vendosjen e figurës së Nexhmije Pagarushës në pullat postare. Ajo përcolli falënderimet e legjendës së gjallë Nexhmije Pagarusha, për ministrin për iniciativën e marrë, duke shprehur mirënjohjen për kujdesin institucional të treguar ndaj saj.
Ndërsa përfaqësuesi i Postës së Kosovës, u shpreh se, përmes pullës postare në nderim të figurës së Nexhmije Pagarushës, ndjehet e privilegjuar dhe e nderuar edhe Posta e Kosovës, sepse kontributi i këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha, është jashtëzakonisht i çmuar dhe ka përçuar vlera nëpër gjenerata të tëra.