Johan Volfgang Gëte është përfaqësuesi më i shquar i racionalizmit dhe i romantizmit në letërsinë gjermane. Lindur më 28 gusht 1833 në Frankfurt, poeti, romancieri, dramaturgu, eseisti dhe filozofi, me veprat e tij është bërë një nga shkrimtarët më të dashur e më të preferuar në Gjermani. Emri i tij la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në letërsinë gjermane, por edhe në analet e letërsive të tjera evropiane. Krijimtaria e Gëtes i paraqitet lexuesit si një kozmos i paarritshëm. Vëzhguesi i mprehtë i epokës së tij ishte gjithashtu i huaj me kohën e tij dhe vazhdimisht perceptohej si krejtësisht joreal. Lexues të mëdhenj si Niçe, Frojdi, Zhid, Benjamin dhe Kafka u ushqyen me nektarin e veprave të tij, ndërsa ishin në hapat e sendërtimit të krijimtarisë së tyre, me inaktualitetin sistematik të Gëtes.
Madhështia e Gëtes shpaloset qartazi në tërësinë e veprave shkruar prej tij. Ai është një shkrimtar që prodhoi jo vetëm disa nga shfaqjet më të mëdha të gjuhës së tij, por qindra poema kryesore të të gjitha llojeve – të mjaftueshme për të mbajtur brez pas brezi kompozitorët të furnizuar me tekste për këngët e tyre. Po ashtu, shkroi tre nga romanet më me ndikim në letërsinë evropiane, si dhe një seri kujtimesh klasike që dokumentojnë fëmijërinë dhe udhëtimet vetjake, ese mbi tema shkencore duke filluar nga teoria e ngjyrave e deri te morfologjia e bimëve. Si njeri me dije enciklopedike, si mendimtar origjinal, dijetar i shquar dhe njohës i hollë i artit, u bë një nga figurat më të mëdha të kulturës gjermane, që do të rrezatojë një humanizëm të thellë deri në ditët tona.
Kuptimin e jetës e gjente tek dashuria e madhe për punë e dituri, veçmas në krijimtarinë artistike.
Gëte ka zënë një vend të jashtëzakonshëm në kulturën gjermane, rëndësia e tij për identitetin kulturor gjerman mund të krahasohet vetëm me atë të Shekspirit për identitetin kulturor anglez. Ishte një nga burrat e fundit universal në traditën e Rilindjes dhe Iluminizmit, poet, dramaturg dhe romancier që e shpuri gjuhën gjermane në majat e saj më të larta, një filozof i thellë dhe origjinal, një shkencëtar i aftë të rivalizonte Njutonin mbi teorinë e ngjyrës, por edhe një botanist dhe mineralogjist, projektues i talentuar, burrështeti që e bëri qytetin e vogël krahinor të Weimarit një nga kryeqytetet e kulturës evropiane. Albert Ajnshtajni e ka quajtur: “Njeriu i fundit në botë që di çdo gjë”. Gëte ka punuar gjithë jetën e tij, jo vetëm për të mbështetur veten, por mbi të gjitha nga një vullnet i fortë “gjithmonë i përtërirë për të mposhtur lirinë e tij krijuese mbi fatalitetin e pasioneve”. Krijimtaria e kolosit është po aq e rëndësishme, sa edhe elektike. Nga “Vuajtjet e djaloshit Verter”, që e bëri të njohur në 1774, te “Fausti”, botuar në 1832 dhe i ripunuar për dyzet vjet, ai la vëllime me poezi, pjesë teatrale, romane, madje edhe traktate shkencore.
Në tragjedinë “Fausti”, që është vepra e jetës së Gëtes dhe një nga kryeveprat e letërsisë botërore, pasqyrohet karakteri shumëformësh i jetës në natyrë dhe në shoqërinë njerëzore. Tërë njerëzit mishërohen në një njeri të vetëm, në personin e Faustit. Tërë kohët përshihen në një jetë të vetme, në jetën e Faustit
Letra e dashurisë së Gëtes drejtuar Sharlotë von Stein (Charlotte von Stein)
“Letrat e mia duhet të të kenë treguar se sa i vetmuar ndjehem. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe në çdo vend të bukur do doja që të ishe pranë meje. Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Të ndiej gjithnjë e më pranë, prania jote nuk largohet asnjëherë. Tek ty gjeta vlerësimin e çdo gruaje, madje për gjithë qeniet njerëzore: nëpërmjet dashurisë tënde, kam madhështinë e gjithçkaje.
Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi dashuria jote ma qartëson dhe më mundëson të shoh qartazi se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh.
Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato. Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë.
Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë”.
Aforizma shkëputur nga veprat e autorit:
Nuk ka gjë më të frikshme se injoranca në veprim.
Idetë e guximshme janë si lëvizjet e shahistëve që mund të sjellin humbjen e lojës, por krijojnë rastin për të filluar një lojë të re, e cila mund të fitohet.
Sjelljet e një njeriu janë një pasqyrë, ku ai sheh portretin e vet.
Njeriu fisnik i bën për vete njerëzit fisnikë, dhe di si të mbështetet tek ata.
Tregohu i njerëzishëm dhe përdor fjalë të mira, sidomos për ata që nuk janë të pranishëm.
Mirëkuptimi është gjenia e njerëzimit.
Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë të lëkundur.
Çdo ditë ne duhet të dëgjojmë të paktën një këngë, të lexojmë një poezi të bukur, të shohim një pikturë të arrirë dhe, nëse është e mundur, të flasim sa më pak fjalë.
Urrejtja është aktive, zilia është pasive, por ka vetëm një hap midis zilisë dhe urrejtjes.
Njeriut të zgjuar i duket çdo gjë qesharake, njeriut të ndjeshëm i duket çdo gjë e rëndë.