MENU
klinika

Andrea Mjeda

Përsosmëria e peizazhit, vargut dhe figurës

29.08.2019 - 13:46

Andrea Mjeda, apo si e njohim më shumë, Ndre Mjeda, lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër, në familjen e varfër të Jak dhe Luçie Zefit. Mbas Andresë atyre u lindi dhe djali tjetër, Lazri. Kjo familje e vogël shpejt do të mbetej pa Jakun, burrin e matur dhe babanë e dashur.

Në vitet 1877-1880, Ndre Mjeda vijon arsimimin në një shkollë private jezuitësh, ku u shqua si fëmijë i mprehtë, me shumë vullnet e me rezultate shumë të mira. Jezuitët, duke parë aftësitë dhe talentin e Mjedës 13-vjeçar, do ta dërgojnë të studiojë në Valencia të Spanjës, në Porto-Re, atëherë provincë e Torinos, në kolegjin “Gerolamo Vida” të Kremonës, në Krakov të Polonisë, madje pohohet të ketë qenë student dhe në Laval të Francës e në të tjera vende. Gjatë kësaj kohe ai ka kryer edhe detyrën e profesorit, ku është shquar. Por ajo që ka rëndësi në këtë periudhë është fakti që ai kurrë nuk i shkëputi marrëdhëniet me atdheun. Me synim shkencor e patriotik, ai punoi shumë për të njohur në thellësi të dy dialektet, gegë e toskë, si dhe folklorin shqiptar, punë që e kryente me zell, sidomos kur kthehej në Shqipëri në pushimet shkollore. Mjedja ndjek arritjet bashkëkohire të kryera në fushën e linguistikës dhe u përkushtohet studimeve albanologjike të kryera deri atëherë nga të huajt. Në këtë vështrim ai është një rilindës energjik me shumë kulturë, që pa rezerva shfaq patriotizmin e tij, duke iu përgjigjur kërkesave të mëdha të kohës, siç ishin lëvrimi i gjuhës shqipe, studimi shkencor i saj, të mësuarit e kësaj gjuhe nga populli. Që në fillim Mjeda vjen mes rilindësve edhe si poet, edhe si studiues e lëvrues i gjuhës dhe mësues.

 

 

 

 

 

Si poet, ai shpirtëzoi idetë më përparimtare patriotike e politike të kohës së vet, si studiues ai pati ndaj gjuhës angazhimin patriotik e shkencor, ku korrespondenca me Majerin, një nga albanologët më në zë të kohës, e bën të qartë figurën e Mjedës dhe qëllimet e larta të veprimtarisë së tij. Pasi ishte përplasur disa herë me urdhrin jezuit, duke mos i përfillur ofertat e tyre për katedra pedagogjike në universitetet e huaja, u kthye në atdhe në fillim të vitit 1899, me plane e ëndrra prej patrioti, i shoqëruar nga Prengë Doçi, një nga abatët më të pushtetshëm të kohës e një nga themeluesit e shoqërisë “Bashkimi”.

Abat Doçi pa tek Mjeda aftësitë shkencore gjuhësore, zotëruesin e dy dialekteve, të riun e talentuar, i cili ishte vlerësuar si një nga më të kulturuarit e kohës.

Në vitin 1901, së bashku me të vëllanë, Lazrin, ipeshkvi i Zadrimës, krijuan shoqërinë “Agimi”, që kishte për bazë alfabetin e Mjedës.

Mjeda, pa humbur kohë, u përpoq të vërë në jetë bindjet e tij gjuhësore, qëllimet e tij patriotike dhe të realizonte dëshirën për ngritjen e shkollave shqipe, që shprehet aq qartë në korrespondencën me Majerin: “Dëshiri im do të ishte me themelue atje… një shkollë të përsosur në gjuhën shqipe”.

I pajisur me një vullnet e këmbëngulje të madhe, ai shpejt bëhet i njohur me alfabetin e tij, i cili do të gjejë përhapje deri në Korçë e Tiranë. Punoi me këmbëngulje që alfabeti të miratohej nga albanologë, nga shkrimtarë gegë e toskë dhe nga shkolla të ndryshme që ishin hapur në vend. Pranë tij qëndrojnë Xanoni e Logoreci. Një vit më vonë, në maj 1902, në konferencën e zhvilluar në Shkodër, ku merrnin pjesë ipeshkvit shqiptarë dhe ku shtrohej çështja e përdorimit të një alfabeti, u arrit të pranohet si më i saktë nga ana shkencore alfabeti i “Agimit” dhe librat të shtypeshin në këtë alfabet. Mjeda ngulmonte për një alfabet shkencor, ku çdo tingull të kishte vetëm një shkronjë dhe, atje ku nuk plotësohej ky parim, të viheshin shenja diakritike.

Megjithatë, aktiviteti i Mjedës nuk mund të shihet vetëm në planin e studimit të gjuhës shqipe. Ai nuk resht së shkruari poezi, copa leximi, nuk reshti së luftuari politikën osmane e së mbrojturi interesat e aspiratat e popullit të vet.

Në periudhën 1904-1908 aktiviteti i Mjedës lidhet ngushtë me atë të Xanonit në botimin e teksteve për shkollën shqipe, që u titulluan “Këndime për shkollë të parë të Shqypnisë”. Këto poezi e proza dallohen për gjuhën e bukur, qartësinë e idesë, fabulës, moralit, për atë psikologji shpirtërore fëmijërore. Në to derdhen njohuri praktike, tema morale të sjelljes, të dashurisë për atdheun, për prindërit, për punën, të dashurisë për natyrën, theksohen veset dhe dëmi i tyre.

Jetoi një kohë të gjatë në Kukël, ku vazhdoi të jetë propagandues, përkrahës i lëvizjes për liri e pavarësi. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Ndërkohë kishte nxjerrë gazetën “Dashamiri”, ku trajtonte çështje imediate të kohës, kryesisht ato të gjuhës. Në vitin 1917, pas shumë përpjekjesh arriti të botojë vëllimin me poezi “Juvenilja”, që përmbledh 14 vjersha origjinale dhe tri poema, me rreth 79 faqe. Në vitet ’20-të, Mjeda si antifeudal e demokrat, bënte pjesë në krahun e opozitës dhe ishte deputet i Shkodrës dhe i Kosovës, funksion të cilin e ruajti nga viti 1920 e deri më 1924. Si deputet u shqua për pikëpamjet demokratike, si mbrojtës i interesave të popullit, si armik i betuar i bejlerëve, i Ahmet Zogut e përkrahësve të tij. Po ashtu, nuk reshti së qëni mbrojtësi i fshatarëve të varfër, i popullit të vet, bir i të cilit ishte.

 

 

 

 

 

Në kulturën dhe trashëgiminë poetike të letërsisë sonë Ndre Mjeda është pa dyshim një poet i madh, i fuqishëm, një zë i rëndësishëm i kohës së vet. Ai jetoi në dy periudha historike: në Rilindje dhe në Pavarësi. Përmbajtja e poezive dhe krijimtaria poetike i përket periudhës së Rindjes, ndërsa angazhimi i tij për studimin e gjuhës shqipe, si dhe pasioni drejt gjurmimeve e njoftimeve arkeologjike do t’u përkasë të dy periudhave. Tematika e gjithë poezisë së tij ka një fokus të fuqishëm – Atdheun. Në krijimet e tij është romantik kur e shqetësojnë shpërthimet lirike e nostalgjike e dhembjemëdha “I mbetuni”, ‘Shtegtari”, “Andërr”, “Shqypes arbnore”, “Vjollca” etj; është klasik dhe i thellë kur sjell erudicionin e gjerë dhe ka të bëjë me zigzaget e kohëve prehistorike e historike të lashta, me mitet, legjendat “Lissus”, “Scodra”; është filozof dhe artist i emocioneve të fuqishme në interpretimin psikologjik të ndjenjave “Andrra e jetës”; është piktor i përsosur i peizazhit, artist i vargut dhe i figurës.

Mjeda është poet i frymëzuar nga trazime të mëdha kohore. Muza e tij është e thellë, jashtë çdo kapriçoje artistike, e përkthyer në simbole e figura mahnitëse, e derdhur në vargje plot tension, të cilat janë të lidhura ngushtë me jetën dhe artin shqiptar. Për veprimtarinë patriotike, letrare e gjuhësore, ndre Mjeda zë një vend të nderuar në historinë e kulturës shqiptare.

 

SHTEGTARI

 

Nëpër male e nëpër fusha

Pa pushue, pa xanun vend,

Përpin rrugën si harusha

Nji shtegtar me gjith’ gazmend.

 

As katundi ma i pëlqyeshëm,

As qyteti nuk e pret;

Porsi’ j zog merr rrugën rrëmbyeshëm

Shpejt e shpejt për vend të vet.

 

Dit’ e natë thekshëm tuj shkue

Nëpër dhena mbetun shkret,

Kurrgja s’mujti me e hetue

Tuj ba rruë për vend të vet.

 

N’pikë të zhegut nën ndo’j hije

Ndej prej s’nxetit që e pëlset;

Por me t’shpejtë u vu për fije

Tuj ba rrugë për vend të vet.

 

Tuj ba rrugë ne e nesre shkote

Nji zotni për at t’zi vend;

Gruen e fëmijt përmbys i mbëlote

Njaj shtegtar pa gojë pa mend.

 

  

 

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen