Fakti që sezoni turistik veror po shkon dalë-ngadalë drejt fundit, e bën të natyrshme pyetjen: Si ishte që ta bëje plazhin në Shqipërine e disa dekadave më parë? Po një shekull më parë? A shkonin shqiptarët me pushime verore?
Nëse po, si ishin plazhet? Po çadrat e shezlonet? Po kostumet e banjos? A shkonin buzë detit vetëm të pasurit, apo edhe të varfrit? Vetëm meshkujt, apo edhe femrat? – shkruan, Alfred Peza.
Kjo foto e rrallë e Kel Marubit (1870-1940) është shkrepur në plazhin e Shëngjinit, këtu e një shekull më parë.
Është shumë interesante që të shihet në të, ajo pjesë e Shqipërise që na bën krenar për evolucionin që kemi pësuar. Kjo foto evidenton jo vetëm fillimet e turizmit në Shqipëri, por edhe elementet e rinj social-kulturore të jetesës!
Nuk duhet harruar se, sapo kishim dalë nga nata 500-vjeçare e pushtimit osman dhe në vend kishin filluar ndryshimet e para me ndikim nga qytetërimi perëndimor!