MENU
klinika

Detaje

Negociatat me BE/ Cakaj në Helsink: Shqipëria ka përmbushur kushtet!

31.08.2019 - 11:31

Gjatë qëndrimit në Helsinki, për takimin joformal të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, formati Gymnich, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi takime me homologët e tij, Ministrat e Jashtëm të Danimarkës, Rumanisë, Kroacisë, Çekisë, Sllovenisë dhe me Sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane të Portugalisë.

Fokusi i diskutimit në këto takime ishte perspektiva e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, si dhe ambicia e Shqipërisë për marrjen e një përgjigje pozitive për çeljen e negociatave me BE në tetor.

Ministri Cakaj rikonfirmoi gjatë këtyre takimeve se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet teknike për fillimin e negociatave, çka mbështetet plotësisht edhe nga progres raporti i Komisionit Evropian, dhe vijon thellimin e reformave, duke shprehur bindjen se çelja e negociatave me BE-në është mëse e merituar.

Ministri slloven Miroslav Cerar vlerësoi kriteret e plotësuara nga Shqipëria, për të merituar çeljen e negociatave me BE. Ministri Cerar siguroi Ministrin Cakaj për mbështetjen e Sllovenisë për të mundësuar një vendim pozitiv në mbledhjen e ardhshme të Këshillit në tetor.

Gjatë takimit me Ministrin e ri kroat Gordan Grlic-Radman, ky i fundit rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme dhe aktive të Kroacisë për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, duke ritheksuar qëndrimin e palëkundur për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si një nga prioritetet e pritshme kryesore të presidencës së ardhshme kroate të BE-së.

Ministri danez Jeppe Kofod vlerësoi progresin e bërë deri tani në drejtim të plotësimit të prioriteteve kyçe, si dhe inkurajoi Ministrin Cakaj për vazhdimin e reformave në vend. Ai siguroi për një vlerësim të drejtë mbi bazën e arritjeve për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Ministrja rumune Ramona Manescu siguroi për vijimin e mbështetjes së Rumanisë, të shprehur edhe gjatë presidencës së tyre për avancimin e vendit tonë në procesin e integrimit evropian nëpërmjet hapjes sa më parë të bisedimeve të anëtarësimit.

Ministri çek Tomáš Petříček konfirmoi se vendi i tij do të vijojë të jetë i zëshëm dhe aktiv në mbështetje të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe do të mbrojë bindshëm objektivin e Shqipërisë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në tetor. Shqipëria ka bërë progresin e nevojshëm për plotësimin e kritereve për këtë faze të procesit dhe tashmë i takon Bashkimit Evropian të mbajë premtimin e tij.

Sekretarja e shtetit për Çështjet Evropiane të Portugalisë, Ana Paula Zacarias, u interesua për zhvillimet më të fundit në vendin tonë, veçanërisht për ecurinë e reformës në drejtësi. Ajo vlerësoi rezultatet konkrete të arritura që do të shërbejnë si një bazë e qëndrueshme për diskutimet dhe vendimmarrjen në Këshillin e tetorit ku vendi i saj do të kontribuojë në mënyrë konstruktive.

Ministri Cakaj mori mbështetje edhe nga përfaqësues të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian gjatë bisedave me ta në margjinat e takimit të Gymnich.

Kryefjala e këtyre bisedave ishte se i takon Bashkimit Evropian tashmë t’i përgjigjet pozitivisht Shqipërisë për reformat e ndërmarra, duke i kurorëzuar këto përpjekje të vendit tonë me një vendim të merituar dhe pozitiv nga Këshilli në tetor.

Shënimi i 80 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë

Kryeministri Rama homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Dyshimet se pas vrasjes fshihet një grup i strukturuar kriminal

Atentati mafioz ndaj djalit të ish-gjyqtarit, dosja i kalon SPAK!

“Distancohem nga çdo bisedë e kolegut tim me Suel Çelën“

I doli emri në dosje, gazetari reagon nga SHBA