MENU
klinika

Profil/ Mbretëresha Virgjëreshë

Edhe Mbretëresha Elizabeth I besonte në astrologji

31.08.2019 - 14:21

Në histori, mbretërimi i Elizabetës së I shihet si epoka e artë në historinë e Anglisë.

Në një masë të madhe ky përcaktim mbështetet në lulëzimin e kulturës dhe fillimet e një perandorie detare që ndodhën gjatë mbretërimit të saj.

Përveç të tjerash, mbretëresha ndihmoi në ngritjen e mitit të vet duke sfiduar perandorinë e fuqishme spanjolle dhe sidomos, me fjalimin e zjarrtë që ajo mendohet ta ketë mbajtur vendin kur vendi kërcënohej nga pushtimi spanjoll.

Nëse mendoni se vetëm shumë pak njerëz besojnë në astrologji, na duhet të ju themi se e keni gabim. Edhe vetë mbretëresha besonte.

Ajo kishte një këshilltar personal me emrin John Dee, një matematikan, astronom  dhe astrolog. Mbretëresha Elizabeth merrte këshilla nga Dee në ngjarjet e rëndësishme dhe, sipas thashethemeve, ajo kërkonte nga ai heqjen e një mallkimi vdekjeje të mundimshme.

Elizabeth 1, e cila ka lindur më 7 shtator të vitit 1533, ishte Mbretëreshë e Anglisë dhe Irlandës nga 17 nëntori i vitit 1558 e deri në vdekjen e saj. Ndonjëherë e quajtur Mbretëresha e Virgjër apo Gloriana, ajo ishte e pesta dhe e fundit monarke e dinastisë Tudor.

Martesa e prindërve të saj ishte anuluar, dhe Elizabeta ishte shpallur në atë kohë, një fëmijë jolegjitim. Gjysmë vëllau i saj, Eduard VI, ka sunduar deri në vdekjen e tij në vitin 1553, duke e mënjanuar çdoherë motrën e tij.

Gjatë mbretërimit të motrës së Elizabeth, Maria, Elizabeta ishte burgosur për gati një vit, si e dyshuar për mbështetje të rebelëve protestantë.

Në kohën e saj, ajo ishte legjendë. Shkrimtarë, poetë, dramaturgë dhe regjisorë modernë e kanë përjetësuar famën e saj.

Vitet e fundit, janë shtuar ndjeshëm librat dhe ekspozitat për të. Pas vdekjes së babait të Elizabeth, Henrik në vitin 1547, këshilluesit fetarë të djalit të tij të vogël, Eduardit VI, u përpoqën ta bënin Anglinë njëqind për qind protestante.

Eduardi vdiq në vitin e gjashtë të mbretërimit të tij dhe kombi u zhyt përsëri në besimin katolik, nën sundimin e shkurtër dhe gjakatar të Marisë.

Kur Elizabeta hipi në fron, Anglia jo vetëm që ishte e përçarë nga konflikti fetar, por ishte edhe pothuajse e rrënuar ekonomikisht. Kishte humbur zotërimet e fundit franceze dhe Spanja përbënte një kërcënim shumë real.

Elizabeta e filloi mbretërimin duke u marrë me problemin kryesor, që ishte feja. Siç komenton Muzeu Kombëtar i Marinës, ajo zgjodhi të rivendoste reformën dhe të ndërtonte një Kishë të Anglisë që nuk ishte as katolike, as protestante. Historiani Kristofer Hejg shpjegon: ‘Në fron, Elizabeta ishte Mbretëresha e Virgjër, për Kishën ishte një nënë, për fisnikët e saj ishte një teze dhe për oborrtarët, një damë joshëse.’

Në vitin 1570, papa Piu V nxori një dekret papnor me të cilin e shkishëronte Elizabetën dhe i çlironte nënshtetasit e saj nga detyrimi për t’iu bindur asaj.

Çështjet arritën kulmin kur u zbulua një komplot i Entoni Babingtonit për të vrarë Elizabetën, komplot në të cilin ishte përfshirë edhe Maria, kushërira e saj.

Elizabeta morri vendim për të dhe, e nxitur nga parlamenti, pranoi që Maria të ekzekutohej në vitin 1587. Evropa katolike u tërbua, sidomos Filipi II i Spanjës.

Në fillim të mbretërimit të Elizabetës, Anglia nuk kishte asnjë zotërim përtej detit. Ndryshe nga ajo, Spanja po fitonte pasuri të mëdha nga territoret e paana që pushtonte në Amerikën e Veriut, Qendrore dhe të Jugut. Edhe Anglia donte të kishte pjesën e vet. Në Angli, mbretëresha nxiti arsimimin. U hapën shkolla të reja, duke u hapur derën drejt botës së dijes më shumë studentëve.

Etja për literaturë, së bashku me përparimet në shtypje, solli një shpërthim kulturor. Kjo ishte epoka e Uilliam Shekspirit dhe dramaturgëve të tjerë të mëdhenj.

Vitet e fundit të Elizabetës ishin plot me telashe. Pa këshilltarët e saj të besuar, që kishin vdekur para saj, ajo u dha privilegje pak vetave që zgjodhi vetë, duke provokuar një rivalitet të fortë në oborrin mbretëror e madje edhe një rebelim që dështoi. Përsëri, mbretëria e saj u përça nga ana fetare.

Katolikët nuk pranonin të ndiqnin shërbesat protestante. Nga fundi i mbretërimit të saj, ishin ekzekutuar afro 200 priftërinj e besimtarë të thjeshtë. Edhe puritanët u burgosën dhe u ekzekutuan. Në Irlandë plasi rebelimi ndaj sundimit anglez dhe lufta me Spanjën vazhdonte.

Që në fillim të drejtimit të Elizabeth I u sanksionuan ligjet që ndalonin përdorimin e mishit gjatë kohës së Kreshmës së Madhe dhe të premteve.

Në ditë të caktuara nënshtetasit e mbretëreshës Elizabeth duhej të hanin jo mish, por peshk. Shkelja e kësaj rregulloreje dënohej me 3 muaj burgim ose me gjobë prej 3 funtave. Ekziston miti sikur pikërisht mbretëresha Elizabeth I ishte e para në Angli që gatoi kulaçin e famshëm me vishnje.

Elizabeta e kishte humbur popullaritetin e saj. Anglia nuk e donte më Mbretëreshën e saj të Virgjër. Pak nga pak, Elizabeta e humbi dëshirën për të jetuar.

Kështu, sundimtarja e fundit e dinastisë së Tudorëve vdiq më 24 mars të vitit 1603.

Kombi e priti lajmin me një heshtje dhe shtangie, por në mbrëmje po festonin në rrugë dhe hidhnin fishekzjarrë për ardhjen e monarkut të ri. Më në fund kishin një mbret, Jakovin VI të Skocisë, djalin protestant të Maria Stjuartit. Në rolin e tij si Jakovi I i Anglisë, ai bëri çka Elizabeta nuk kishte qenë në gjendje ta bënte: i bashkoi dy mbretëritë nën një monark. Mirëpo, optimizmi i fillimit shpejt ia la vendin zhgënjimit dhe kombi nisi të dëshironte ditët e Mbretëreshës së tyre të Virgjër.

Reputacioni i Elizabetës u rrit nga fundi i shekullit të 19-të, kur iu dha merita për lindjen e Perandorisë Britanike, që në atë kohë zinte çerekun e botës. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN