MENU
klinika

Arti në zi

I shpërtheu fishekzjarri në koncert, vdes këngëtarja e popit

02.09.2019 - 11:15

Fat tragjik për këngëtaren dhe kërcimtaren e njohur spanjolle, 30-vjeçaren Joana Sainz, e cila humbi jetën nga shpërthimi i një fishekzjarri në skenën ku ajo ishte duke kënduar.

Shfaqja në Las Berlanas në Avila u kthye në një skenë të tmerrshme ku këngëtarja dhe kërcimtarja e talentuar e muzikës pop u godit nga mjeti piroteknik para fansave të saj. Fishekzjarri shpërtheu duke i lënë dëmtime të mëdha në bark, ndërsa këngëtarja nuk mundi të mbijetonte.

E gjithë skena u kap nga kamerat, në prani të 1 mijë spektatorëve që po ndiqnin shfaqjen në Las Berlanas, në veri-perëndim të Madridit. Këngëtarja ra në skenë ndërsa në ndihmë të saj shkuan disa mjekë, të cilët ndodheshin rastësisht mes turmës. Joana Sainz u nxor nga skena dhe u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetonte.

Performanca u pezullua për shkak të incidentit tragjik të ndodhur pak para orës 2 të mëngjesit me orën lokale, ndërsa siç mediat e huaja raportojnë, ambulanca mbërriti rreth 25 minuta më vonë.

Dëshmitarët thanë se dëgjuan një zhurmë shumë të fortë dhe më pas panë këngëtaren të shtrirë në dyshemenë e skenës përpara se perdja të ulej shpejt.

Një burrë që po shikonte shfaqjen tha: “Kishte dy fishekzjarrë – njëri që shkoi në drejtimin e duhur dhe tjetra goditi këngëtaren në bark”.

Orkestra Super Hollywood, pjesë e së cilës ishte edhe Joana Sainz, ka 15 anëtarë, duke përfshirë këngëtarë, muzikantë dhe valltarë, që sjellin shfaqje spektakolare nën ritme pop.

Për ngjarjen e rëndë është hapur një hetim për të përcaktuar shkakun e aksidentit. Deri në këtë fazë të tyre, flitet për një dështim të mekanizmave të efekteve speciale të përdorura gjatë shfaqjes, siç ishin fishekzjarrët që i morën jetën 30-vjeçares. Për rreth 5 vite në shfaqje të grupit Super Hollywood janë përdorur më shumë se 2000 fishekzjarrë por asnjëherë më parë nuk ishin shënuar aksidente.