Një tjetër gjyqtar rrezikon karrierën edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dha “OK”.
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr.60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë.
Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vlerësimin e aftësisë profesionale nuk është i plotë, duke u konsideruar i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Gentian Medja.
Mbështetur edhe në rekomandimin e komisionit të përfaqësuesve të ONM-së, për të ankimuar vendimin nr.60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të kryejë rivlerësimin e aftësive profesionale të z. Gentian Medja, duke u bazuar në një metodologji, që përmban indikatorë objektivë për evidentimin e nivelit të përmbushjes së kritereve ligjore, të parashikuara në ligjin nr.96/2016.
Bazuar në përmbajtjen e nenit F të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe pikës 2 të nenit 66 të ligjit nr.96/2016, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi i sugjeron Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të orientojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit mbi mënyrën e kryerjes në vazhdimësi së rivlerësimit të kriterit të aftësisë profesionale.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16 të Rregullores së Institucionit të Komisionerëvë Publikë, ankimi është publikuar në faqjen zyrtare të këtij institucioni.