Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj në një interpelancë me ekspertë të fushës së integrimit dhe me studentë, ka treguar faktin se ku ndodhet Shqipëria në rrugën e saj integruese drejt Bashkimit Evropian.
Duke folur për arritjet në fushën e drejtësisë dhe largimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë, Cajkaj tha se kjo është një ndër shtyllat esenciale që rrit shanset integruese. Ai tregoi se kushtet integruese nuk janë vetëm në dorën e Shqipërisë, por është produkt edhe i vetë zhvillimeve brenda vendeve të unionit.
Sipas Cakajt, bazuar në një vlerësim parimor si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut meritojnë të marrin një përgjigje pozitive nga strukturat e Bashkimit Europian në muajin tetor.
“Ne kemi një konfirmim paraprak politik të Komisionit. Shqipëria qëndron në avantazh dhe me shpresa për hapjen e negociatave me BE. Ky është një proces që nuk varet vetëm nga ana e Shqipërisë, por edhe e zhvillimeve të tjera në Evropë.Ne jemi duke punuar jo vetëm për të hapur negociata, por për të qene në pozicionin e duhur edhe pasi të hapen negociatat. Ne nuk mund të operojmë mbi situata me pikëpyetje, por ne jemi të angazhuar për hapjen e negociatave në tetor. Shqipëria dhe Maqedonia duhet të hapin negociatat në të njëjtën kohë, por këtu nuk duhet harruar se ekziston edhe një pako e Bashkimit Europian, e cila bazohet mbi kushtet e arritura. Nga pikëpamja parimore nuk pse të ketë ndarje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në 18 tetor. Shqipëria ka përmbushur kushtet dhe po kështu ka potenciale për të vijuar rrugën e integrimit.”-tha ai.