Librat dhe pajisjet shkollore janë bërë më të shtrenjta këtë vit. Teksa pjesa dërrmuese e çmimeve të shportës së mallrave ka shenuar rënie ose rritje shume të dobët këtë vit, artikujt dhe pajisjet shkollore janë rritur me ritme më të larta se zakonisht.
Sipas të dhënave të INSTAT indeksi i librave dhe mjeteve shkollore pësoi rritje me 7.6 për qind në muajin gusht të vitit 2019 në raport me një vit më parë, ndërsa në vitet e tjera ku ndryshim ishte më pak se tre për qind.
Artikujt shkollorë pasuan rritjen më të lartë ndër mallrat e shportës ketë vit pas frutave, çmimet e të cilave në gusht 2019 ishin 11 për qind më të larta.
Bizneset që e kanë të lidhur aktivitetin artikuj për nxënës nga viti në vit po hasin vështirësi për shkak se numri i fëmijëve po bie me ritme të shpejta.
Tregtarët e kancelarive e pohojnë këtë fakt, por sipas tyre çmimet e larta po diktohen nga zëvendësimi i produkteve më të lira më produkte më të shtrenjta.
Mimoza, e cila prej vitesh shet mjete kancelarie në zonën e Selvisë, thotë se rënia e numrit të nxënësve po ndihet te shitjet. Nga ana tjetër, prindërit i kanë rritur shpenzimet për fëmijët.
Ajo thotë se tashmë merr furnizime më cilësore, duke pohuar se janë rritur shitjet e stilolapsave që kushtojnë 300 lekë të reja, kurse vite më parë nuk i bënin këto lloj furnizimesh, pasi nuk kishte shitje.
Nga të dhënat e INSTAT, shihet se volumet e tregtisë me pakicë të librave dhe artikujve shkollorë kanë rënë në 98.8% në shtator të vitit 2018 (indeksi bazë 100 në vitin 2010),shkruan monitor. Volumet e tregtimit të artikujve shkollorë ishin më të ulëta se në vitin 2010, dhe me ulje edhe me një vit më parë në shtator 2018, kur volumet e tregtimit ishin 102%.
Në kushtet e rënies së numrit të nxënësve dhe të rritjes së bizneseve të kësaj fushe, vëzhgimet tregojnë se çmimet e mjeteve shkollore rriten vazhdimisht, pasi tregtuesit po marrin më pak produkte me çmime më të shtrenjta.