MENU
klinika

Nga The Hill

Momenti i të vërtetës për Hong-Kongun dhe Kinën

10.09.2019 - 11:50

Kriza e Hong-Kongut nuk është më thjesht një konfrontim midis protestuesve pro-demokracisë dhe qeverisë komuniste në Kinë. Ajo është zgjeruar në një fushatë në luftën e informacionit të zhvilluar nga Kina kundër Perëndimit.

Pekini ka akuzuar edhe një herë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera demokratike që ndërhyjnë në punët e Hong-Kongut, dhe kështu në Kinë, dhe nxisin protestat që kanë tronditur territorin për më shumë se tre muaj.

Protestat në fakt u nxitën nga përpjekja e qeverisë së Hong-Kongut për të miratuar një ligj ekstradimi që do të kishte dërguar qytetarët e akuzuar në Kinë për ndjekje ligjore.

Shkalla dhe intensiteti i demonstratave u përshkallëzua pasi policia përdori masa të ashpra kundër protestuesve dhe shefja ekzekutive e Hong Kong-ut refuzoi të hiqte projektligjin ose të plotësonte kërkesat e tjera.

Pekini thuajse menjëherë filloi të fajësojë një “dorë të zezë” amerikane për nxitjen e demonstratave, megjithë mohimet zyrtare të qeverisë amerikane për përfshirje.

Por e gjitha kjo tani përbën një sfidë për integritetin diplomatik dhe besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe qeverive të tjera, dhe një provë të suksesit të Pekinit në dezinformim.

Pra, kërkohet një përgjigje nga Uashingtoni. Departamenti i Shtetit duhet të deklarojë se këmbëngulja e Pekinit për të fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore për dështimet e vetë qeverisjes së regjimit komunist është e papranueshme. Duhet të shprehet se, tani e tutje, Uashingtoni do të braktisë qëndrimin zyrtar të mëparshëm, pavarësisht nga thirrjet e protestuesve për mbështetje, dhe tani me të vërtetë do të marrë një rol më aktiv.

Qëndrimi i ri proaktiv do të nënkuptojë menjëherë fillimin e një fushate informative të drejtuar ndaj popullit kinez, përfshirë Tibetanët, Ujgurët dhe Mongolët, për të kundërshtuar shtypjen e Pekinit për të vërtetën për atë që po ndodh në Hong-Kong.

Më tej, Uashingtoni duhet të deklarojë se do t’i kërkojë Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë të bashkohen në këtë përpjekje ndërkombëtare për të treguar të vërtetën.

Si dhe, Shtetet e Bashkuara duhet të këshillojnë Pekinin se çdo përdorim i forcës kundër Hong-Kongut nga Ushtria Liblirimtare e Popullit, Policia e Armatosur e Popullit ose forca e rregullt e policisë, do të shkaktojë një përfundim të menjëhershëm të statusit të veçantë të territorit.

Kjo do të privonte Pekinin nga përfitimet e jashtëzakonshme ekonomike që rrjedhin nga Hong-Kongu si një qendër bankare ndërkombëtare e sigurt, në dallim nga çdo qytet tjetër kinez. Momenti i së vërtetës në Hong-Kong po vjen.

Joseph Bosco është një bashkëpunëtor në Institutin për Studime Koreane-Amerikane dhe anëtar i bordit këshillimor të Institutit Global Tajvan.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN