MENU
klinika

Në vend të një analize sociologjike

Për bashkinë, biçikletat dhe djaloshin pa biçikletë

15.09.2018 - 12:29

Narcisizmi është bërë një dukuri mjaft e përhapur në shoqërinë tonë. Me të bashkë dhe marrëzia njerëzore. Herëherë, madje, nuk të besohet se ka njerëz që mund të thonë ato që thonë.

Sidomos kur janë të rinj dhe kanë kryer një farë shkollimi formal. Ngado të zë syri e të dëgjon veshi marrëzi! Shtypi dhe mediat janë të mbushura me to, në vend që të ishin barrierat më të mëdha për të pavërtetat dhe marrëzitë e që t’i përçonin publikut informacion për atë çka është e vërtetë dhe shoqërisht e dobishme, si fakt ose si dije.

Ndoshta nuk do t’i kisha shkruar këto radhë nëse s’do të kisha ndjekur, fare rastësisht, në një kanal televiziv (FAX News më duket), që s’e kam parë ndonjëherë, përçartjen e një djali të ri, në të tridhjetat besoj.

Ai fliste me një breshëri fjalësh, pa pauza frymëmarrjeje, sikur të kishte frikë se do ia rrëmbente kohën drejtuesja e atij emisioni, të cilën s’e dëgjova të thotë asnjë fjalë dhe as të bëjë ndonjë pyetje. Në anglisht, llafazanë të tillë me sarkazëm i quajnë “machine guns”. Edhe tani që shkruaj këto radhë, më kumbon në vesh breshëria e fjalëve të atij djaloshi, të ardhur në Tiranë kush e di se nga cila krahinë e vendit (aksenti i tij), që vetëm shante e shante dhe përsëri shante Tiranën dhe kryetarin e Bashkisë së saj.

Ky djalë tingëllonte si të ishte njeriu më i palumtur në botë, më i vuajturi, më i sëmuri, më i mjeruari. Ai tha se punon vetëm 1.5 km larg (vajtje-ardhje) nga banesa e tij, por ka një hall të madh: Me se të shkojë në punë? Me makinë? Në trafikun e Tiranës, ajo distancë më e shkurtër se 1 km i merr atij plot 40 minuta!! Me autobus? Koha shkurtohet vërtet 10 minuta, por jeta e tij vihet në rrezik, sepse e shtypin pensionistët dhe gratë shtatzëna të gjorin djalosh, e bëjnë “sardele”. Me këmbë?

Në asnjë mënyrë! Tymi dhe bloza e marmitave që mbulon rrugët për shkak të trafikut të rënduar ia shkatërrojnë sytë, veshët dhe mushkëritë dhe e vetmja gjë e sigurt, thotë ai, nëse atë distancë të shkurtër nga shtëpia në punë (dhe nga puna në shtëpi) e bën me këmbë, është shtrimi në spital, në mos edhe më keq!

Biçikleta? Kjo, jo e jo. Në asnjë mënyrë. Biçikletat dhe korsitë e dedikuara për to, që Bashkia e Tiranës po i inkurajon fort kohët e fundit, sipas këtij djaloshi, e kanë rënduar së tepërmi trafikun e automjeteve dhe e kanë ndotur edhe më shumë ajrin e kryeqytetit!!

Arsyeja? Mos u habisni, të nderuar lexues!

Nuk ka asgjë për t’u habiur. Ky djalosh sy-hundë-veshë blozë shpalosi në atë studio televizive një teori të fandaksur. Edhe një herë, ju lutem, mos u habisni! Teoria e tij, me pak fjalë, është kjo: Shtimi i biçikletave në Tiranë dhe korsitë e tyre, të cilat, ky djalosh, duke rënë në kontradiktë me vetveten, i ka parë vetëm në zonën e bllokut, ka bërë që, në kryqëzim të rrugëve, në tërë qytetin, të shtohet shumëfish numri i automjeteve që presin të ndaluar në semaforë, duke emetuar gjithnjë e më shumë gazra dhe duke dëmtuar përherë e më shumë sytë, veshët dhe mushkëritë e mijëra qytetarëve që nuk përdorin as makinë, as autobus për të shkuar në punë ose në shkollë, por ecin në këmbë, siç ky djalosh ka frikë të ecë.

Ah, kjo Bashki e kryeqytetit dhe kryetari i saj! Ç’dëm të madh po i bëjnë Tiranës sonë, Tiranës ku ka zbritur të jetojë edhe djaloshi i ftuar në studion e atij televizioni! Për më tepër, kryetari i palodhur i Bashkisë duket se u jep qytetarëve të kryeqytetit një shembull të keq, pasi ai vetë, çdo ditë, del rrugëve të Tiranës me biçikletë.

Me biçikletën e tij dhe me korsitë e biçikletave që ai tinëzisht po i shtrin anë e mbanë qytetit, kryebashkiaku Veliaj djallëzisht po i grish të rinjtë e të rejat që të përdorin këtë mjet transporti që e rëndon trafikun dhe e ndot mjedisin fatalisht, më shumë se dhjetëra mijëra automjete që qarkullojnë çdo ditë rrugëve të Tiranës!

Nuk e vë në diskutim vlerën e teorisë “antibiçikletë” të djaloshit që kapardisej në atë studio televizive, por kam vetëm një pyetje për të: A di ai vetë t’i japë biçikletës?

Nga Fatos Tarifa