MENU
klinika

Takimi me Merkel

Rama pranon kushtet e reja: BE më e ngurtë, do bëjmë çmos për integrimin

13.09.2019 - 17:22

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Berlini pas takimit me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, duke pranuar se Shqipërisë i duhet të plotësojë të tjera kushte për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se i gjithë procesi i integrimit është i kushtëzuar dhe bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, duke shtuar se duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera.

“Sigurisht nuk bëhet fjalë për ta mbyllur procesin, por bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera dhe llogaritë tregojnë se të gjithë vendet që kanë kaluar në këtë proces, i cili është bërë gjithmonë e më i vështirë, për shkak se Europa, BE është bërë gjithmonë e më e ngurtë dhe ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten, iu është dashur të përmbushin qindra e qindra kushte”, është shprehur Rama.

Më tej, kryeministri Rama ka thënë nga Berlini se Kancelarja Merkel ka pasur një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë, po sipas tij, procesi duhet të kalojë përmes Bundestagut, diskutimeve në grupe, të cilët kanë ide dhe qasje të ndryshme. Por, pavarësisht pengesave, Rama ka theksuar se do bëjë çmos që Shqipëria të hyjë në një fazë të re të rrugës sonë europiane.

“Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë. Megjithatë, Gjermania ka një procedurë të veçantë, sepse kalon nëpërmjet Bundestagut, nëpërmjet diskutimeve në grupe. Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që, pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë europiane”, ka deklaruar kreu i qeverisë shqiptare.

Fjala e plotë e Ramës:

E kemi filluar ditën qysh herët sot, me këto takime dhe do të vazhdoj të takoj edhe grupe të vogla, apo individë të rëndësishëm në Bundestagun gjerman. Por, sigurisht, takimi me Kancelaren ishte ai që kishte rëndësi të veçantë dhe pa dashur të shkoj përtej asaj që mund të them për momentin, edhe në respekt të Kancelares dhe le të themi të konfidencialitetit formal të takimit, – Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë.

Megjithatë, ky është një proces. Gjermania ka një procedurë të veçantë, sepse kalon nëpërmjet Bundestagut, nëpërmjet diskutimeve në grupe. Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që, pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë europiane.

Ne po punojmë intensivisht për aq sa mund të bëjmë. Jemi të vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE, që, siç e ka thënë Presidenti francez, nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me më shumë, etj. dhe sigurisht në raport me opinionet e tyre publike që është një problem i mirëkuptueshëm më vete. Patjetër që një pozicion pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë. Gjermania është një zë, le të themi, jo si të gjithë të tjerët në familjen e Europës së bashkuar dhe ne do të bëjmë çmos që ky zë të jetë në favor të Shqipërisë.

Një gjë është e sigurt, që, pavarësisht se nuk kemi qenë gjithmonë dakord, kemi të bëjmë me njerëz dhe me institucione që gjithmonë kanë dashur më të mirën për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa diskutim. Kështu që jemi në një moment që atmosfera është pozitive, por duhet që të përpiqemi deri në fund dhe të përpiqemi, le të themi, që të mos marrim më sysh veten, duke u gëzuar, apo folur para kohe.

Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një dhuratë, bëhet fjalë për të marrë atë që na takon. Sigurisht nuk bëhet fjalë për ta mbyllur procesin, por bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera dhe llogaritë tregojnë se të gjithë vendet që kanë kaluar në këtë proces, i cili është bërë gjithmonë e më i vështirë, për shkak se Europa, BE është bërë gjithmonë e më e ngurtë dhe ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten, iu është dashur të përmbushin qindra e qindra kushte.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U plagos me thikë gjatë sherrit ku u vra Martin Cani

Del nga spitali 14-vjeçari Luis Meçja

Katedralja 860-vjeçare përfshi nga flakët, 5 vite më parë

Rihapet ‘Notre Dame’ pas restaurimit!

Shënimi i 80 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë

Kryeministri Rama homazhe në Varrezat e Dëshmorëve