Giacomo Francesco Baldissera – Lindur në Venecie, më 7 mars 1952. Përfunduar studimet në liceun klasik “Marco Foscarini”. Mban titullin “Doctor” në Shkencat Politike, prej vitit 1974. Në vazhdim, punon si asistent profesor pranë disa fakulteteve. Ka një karrierë të susksesshme në bankë, financë, sigurime, bursë, menaxhim fondesh, si dhe në tregun e shitblerjeve të shtëpive në Venecie, Luksemburg, Torino dhe Londër. Aktualisht, jeton në principatën e Monakos, por shkon herë pas here në Venecie, shkruan gazetamapo.al.
Bashkëbisedoi, Mark Simoni:
Shumë kohë përpara se të takoheshim, kam dëgjuar për ju dhe njohuritë tuaja, prezantim ky, përmes mikut tonë të përbashkët, punonjësit të bibliotekës, Tom Lucaj (Cara). Gjithashtu, kam mësuar nga bisedat me ju, për afeksionin që keni për Shqipërinë, historinë tonë, si dhe për trashëgiminë tonë kulturore, që e ke mësuar përmes librave, një pjesë e të cilëve i keni dhe në fondin e bibliotekës suaj.
Mund të ndani disa detaje me lexuesin tonë, rreth dokumenteve historike mbi Shqipërinë, që ju u jeni referuar?
Libri themelor për Shqipërinë, në bibliotekën time, është botimi i parë i biografisë së Skënderbeut, rreth vitit 1510: “Historia de vita etgestis Scanderbegi Epirotarum principis”, shkruar nga Marinus Barletius (Marin Barleti). Patjetër që kam kaluar nëpër duar dhe veprat e vjetra të Bogdanit e Zarishit.
A mendoni se, fatet e përbashkëta që kemi ndarë me popullin italian kanë qenë thjesht gjeografike, apo të dëshëruara nga kombet tona, në mënyrë që të vendosim marrëdhënie të ndërsjella dhe histori të përbashkët?
Natyrisht, gjeografia luan një rol domethënës, por të qenit fqinj nuk do të thotë detyrimisht, të jesh miq.Shpesh, ndodh krejt e kundërta. Megjithatë, janë vendosur lidhje të forta që prej fundshekullit të mesjetës, kjo, për t’i rezistuar armiqve të përbashkët, perandorisë osmane. Sapo Shqipëria u pushtua nga turqit (pas rënies së Shkodrës, më 1478 dhe Traktatit të Paqesm një vit më vonë), kontaktet me Venecien u mbajtën për shkak të tregtisë dhe përmes vendosjes së komuniteteve shqiptare në Italinë e Jugut, me mbretërinë e Napolit. Pas përfundimit të luftës I Botërore, marrëdhëniet midis dy kombeve u bënë më të forta dhe shumë të rinj Shqiptarë u dërguan në Itali, për t’u arsimuar ose për përgatitje ushtarake. Si shembull, po jap faktin që im atë kishte shokë e miq shqiptarë në kolegjin ushtarak “Nunziatella”, në Napoli.
Në Shqipëri, ka vende që lidhen me historinë italiane. Si të tilla, mund të përmendim “Hotelin e gjuetisë” në Lezhë. Mund të shtoni edhe shembuj të tjerë, si ky?
Mbretëria e Italisë e njohu pavarësinë e Shqipërisë, më 3 Gusht 1920. Kreu i qeverisë shqiptare të kohës, Ahmed Zogu, u shpall mbret në vitin 1928. Më 7 prill 1939, Italianët zbarkuan në Shqipëri, ku Asambleja i ofroi kurorën Vittorio Emanuelit të Dytë dhe deri në vitin 1943, ai do të mbetej ”Mbreti i Italisë dhe Shqipërisë”.
E kemi vizituar bashkë “Hotelin e gjuetisë” në Ishull-Lezhë dhe tek një miku im në Venecie, kam parë edhe masterplanin origjinal të këtij hoteli, të ndërtuar nga Konti Ciano. Kam lexuar për vilën e Zogut në Durrës, të ideuar nga arkitektë italianë. Gjithashtu, kujtoj me këtë që në Semmering të Austrisë është nderuar me një bust, Karl Gega (studimet i pati bërë në Itali) dhe mbahet si arkitekti i hekurudhës së parë më të vështirë malore. Gjimnazi i vjetër i Troshanit është ndërtim italian, nga ana arkitekturore.
A interferojnë kulturat tona me njëra-tjetrën dhe në një rast të tillë, mund të përmendni disa detaje dhe shembuj?
Marrëdhëniet letrare zhvillohen, në ditët tona, me ndihmën e ambasadës italiane, veçanërisht me rastin e javës së kulturës italiane. Vjeshtën e kaluar, për shembull, Pierfranco Bruni, një studiues i njohur i Luigi Pirandello-s , e prezantoi këtë autor siçilian klasik në konferenca dhe laboratorë kërkimi (pune) në Tiranë, Shkodër, Vlorë dhe Korçë. Nuk duhet të anashkalojmë prezencën në Italinë e Jugut, të 50 komuniteteve arbëreshe në 7 (shtatë) rajone: Abruzzo, Molise,Basilicata, Puglia,Calabria, Sicilia dhe Campania.
A ka kryqëzuar letërsia e lashtë Italiane rrugët me historinë dhe ngjarjet Shqiptare dhe a i ka marrë ato si burim reference?
Sipërmarrja më e madhe e përbashkët e Shqipërisë dhe Venecies, mbetet natyrisht ajo që është përshkruar nga veprat dyshe (binjake) të priftit shqiptar Marin Barletti, “Rrethimi i Shkodrës” (1504) dhe veçanërisht “Jeta e Scanderbeut ” (ndoshta më 1510) botimin e parë, tepër të rrallë, vepër të cilën jam krenar që e kam pjesë të koleksionit tim privat. Antonio Loredan dhe Triadano Gritti, udhëhoqën mbrojtjen e suksesshme të Shkodrës (1474), gjashtë vjet pas vdekjes së Scanderbeut, megjithëse katër vjet më vonë, Venecia duhej të dorëzonte atë qytet heroik Sulejman beut, dërguar nga Sulltan Mehmeti II, me 80 000 ushtarë, nga të cilët 25 000 mbetën në luftime.
Pas rënies së qytetit, 6 000 shkodranë (450 burra dhe 150 gra) themeluan një komunitet në Venecie “shkollën” e të cilit (Shoqata, ndihma e ndërsjelltë, siguracioni, kulti fetar) ende e admiron çdokush në San Mauricio: në mur gjenden akoma imazhet e mermerta të Zojë së shenjtë, të San Gallo, të San Maurizio dhe veçanërisht, të “kryeqytetit” shqiptar, Shkodrës.
Nuk duhet të lëmë pa përmendur këtu, se gazetari dhe shkrimtari Indro Montanelli, ka një libër të veçantë, serioz, me shumë detaje dhe histori për Shqipërinë. Poeti Gjergj Fishta, nuk duhet të harrojmë po ashtu, se ka qenë akademik yni.
“Ju falënderoj, për këtë mundësi mediatike që më dhatë!” – ka përfunduar, Giacomo Francesco Baldissera./Konica.al