Shikimi i protestave në Hong-Kong është ngazëllyese në një botë ku demokracia shpesh duket në rënie dhe autokratët janë në rritje.
Por kjo protestë idealiste, kryesisht pa lider më kujton ditët e para të pranverës arabe. Kjo më shqetëson. Pa udhëheqje të fortë, kjo lëvizje mund të ketë një fund të ngjashëm jo të kënaqshëm .
Tani kanë kaluar më shumë se 100 ditë nga fillimi i protestave pro-demokracisë në fillim të qershorit. South China Morning Post shkroi: Deri më tani, ka pasur 2,414 raunde gaz lotsjellësi dhe u arrestuan 1.453 persona.
Ndikimi ekonomik po rritet gjithashtu. Cathay Pacific, një kompani ajrore e Hong Kongut, raportoi një rënie prej 38 përqind të hyrjeve në gusht krahasuar me një vit më parë; hotelet po ashtu.
Lëvizja demokratike ka rrënjë të thella. Javën e kaluar, demonstruesit u mblodhën në qendrat tregtare dhe vendet e tjera publike për të kënduar himnin e tyre të ri, “Lavdi Hong Kongut”, i cili thoshte: “Liria do të shkëlqejë mbi ne”.
Martin Lee, një aktivist për të drejtat e njeriut që drejtoi protestat e demokracisë një brez më parë dhe tani është 81 vjeç, thotë se simpatizon edhe me militantët që kanë përdorur taktika të dhunshme. “Për 35 vjet, unë përdora mjete paqësore, dhe ata më injoruan”, thotë ai.
Si do të përfundojë kjo lëvizje? Gjatë një jave në Hong Kong, unë ua bëra këtë pyetje protestuesve militantë dhe zyrtarëve të qeverisë pro-Pekinit, si dhe drejtuesve të bizneseve lokale dhe ekspertëve të mediave. Në disa dhjetëra biseda, dëgjova të njëjtën përgjigje themelore që dha Lee: Si do të marrë fund? Nuk e di.
Tani Pekini është i irrituar, por në dukje nuk dëshiron të ndërhyjë ushtarakisht; protestuesit kanë një mbështetje të gjerë popullore, por asnjë udhëheqës që mund të krijojë një fitore pragmatike.
Një ish-zyrtar i shquar i Hong Kongut më tha që dëshiron të negociojë me protestuesit e rinj, por në këtë lëvizje, ai nuk mund t’i gjejë ata.
Kjo është një lëvizje e guximshme, fisnike. Ajo ka nevojë për udhëheqës që mund të vendosë se si duket suksesi, dhe ta shfrytëzojnë atë tani. Rruga përpara është e errët.
David Ignatius, kolumnist i Washington Post