Mos “përtoni” ta shihni Tiranën, nën magjinë e akuarelit! Dy edicionet e suksesshme më parë, i hapën rrugën këtij të radhës. Rikthehet në Tiranë, Bienalja e tretë Ndërkombëtare e Akuarelit: 400 kryevepra të artit botëror, nga më shumë se 60 vende të botës, vijnë në Tiranë në sallat e Muzeut Kombëtar.
Kjo Bienale do të bashkohet me Bienalen Ndërkombëtare VIZart “Auto-Portret” dhe të dyja, do të zhvillohen në Muzeun Historik Kombëtar, por në hapësira të ndara, një mundësi e shkëlqyer për të sjellë në Tiranë artistë nga më të mirët dhe për të promovuar pikturën me bojëra uji. Edhe këtë vit, kuratori do të jetë Helidon Haliti.
Gjatë ditëve të Bienales, do të organizohen demonstrime ‘live’ në Muzeun Historik Kombëtar, në sallën e UNESCO-s. Mbrëmjen e sotme, në orën 19:00 do të jepen disa çmime, medalje dhe çertifikata për artistët shqiptarë dhe të huaj, ndërsa në fund do të botohet katalogu metë gjithë veprat e artistëve.
Që në edicionin e parë, ideja e organizatorëve ishte që të rikthenin vëmendjen tek arti pamor në Shqipëri. Bienalja, çelet sot, më 20 shtator, për të vijuar deri më 30 shtator. Ftoheni, të mos e humbisni!