Carlos Ruiz Zafon, një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të parapëlqyer katalanas, i ofron lexuesit histori të paharrueshme dhe mbresëlënëse. Shkrimtari me origjinë nga Barcelona ka shkruar romane të bukur dhe tronditës të tillë si “Hija e erës” (2002), “Loja e engjëllit” (2008), “Marina” (1999), “Labirinti i shpirtrave”(2016), “Varreza e librave të harruar”, etj. Në veprat e tij ai trajton çështje nga më të ndryshmet si jeta, vdekja dhe dashuria, duke na dhuruar histori që vështirë se mund t’i largojmë nga mendja apo t’i harrojmë. Gërshetimi i misterit, trillerit dhe romantikës na shpalosin idenë e një Barcelone ndryshe nga e zakonshmja, plot sekrete dhe hije./Konica.al
Carlos Ruiz Zafon, një nga shkrimtarët më të lexuar bashkëkohorë të Spanjës, pas Servantesit, lindi në Barcelonë në vitin 1964. Autor i disa bestsellerave të përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës, romanet e tij janë emocionues, hera-herës me tonalitete të errëta dhe gjithnjë tërheqës: me personazhe luftarakë, të cilët luftojnë dhe vuajnë në kërkim të dashurisë, dijes, të vërtetës dhe famës. Misteri që mbulon librat është sa i errët në dukje, aq edhe njerëzor në thellësi. Personazhet e tij gjithnjë kureshtarë takohen me aventurat në një pikë të pashmangshme dhe të parezistueshme të dëshirës për t’i zgjidhur. Jo rrallëherë krijimtararia e Zafonit paraqet një epokë, ku të rinjtë e formojnë të ardhmen rreth fjalës së shkruar dhe luftojnë nën peshën e mundimshme të historisë së vonë. Gjithsesi, mes aventurave, dhimbjes dhe ankthit të tyre, në sfond ka gjithmonë diçka që farkëton në mënyrë të pakthyeshme fatin e tyre – vetë qyteti i Barcelonës.
Kushdo që ka shfletuar ndonjë nga librat e Ruiz Zafonit, mund ta imagjinojë Barcelonën që autori e kap në mënyrë të jashtëzakonshme. Edhe pse nuk është plotësisht versioni që dikush mund të presë: është një qytet i mjegullës, heshtjeve ogurzeza, rrugicave gjarpëruese, qosheve të zymta, si dhe ndjesia e patundur dhe e pafalshme se qyteti po ju vëzhgon. Larg imazhit të parajsës turistike me diell që mbretëron në imagjinatën e tanishme popullore, autori zbulon errësirën dhe misterin e qytetit të dytë të Spanjës, duke e shndërruar atë në një vend të frikës dhe rrezikut. Edhe pse ndjenja e mjerimit dhe dhimbjes mbizotëron në të gjithë romanet, ndjenja e pamohueshme se qyteti është një “qytetërim i shuar”, ekziston gjithashtu një magji dhe mister i pashmangshëm që ngërthen totalisht si protagonistin, ashtu edhe lexuesin njëlloj si mjegullat e mëngjesit të Barcelonës. “Varreza e librave të harruar” është dëshmi e gjallë. E vetmja gjë e pandryshueshme në romanet e Ruiz Zafonit, ky labirint magjepsës, por përndjekës, përmban kështjella të paqëndrueshme librash sa mund të të hajë syri, korridore gjarpëruese, salla që jehojnë dhe, më e mira nga të gjitha, është një sekret. Njëherazi simbol i vdekjes dhe shpresës, “Varreza” është një relike për gjithçka që ka humbur qyteti, por dhe gjithçka që mund të rimarrë një ditë./Konica.al
“Çdo libër, çdo vëllim që shihni ka një shpirt, shpirtin e personit që e ka shkruar dhe shpirtin e atij që e ka lexuar, të atij që ka jetuar dhe të atij që ka ëndërruar falë tij. Sa herë që një libër ndryshon lexues, sa herë që një vështrim i ri përkëdhel faqet e tij, shpirti i tij rimerr energji. Shumë vite më parë, kur im atë më solli për herë të parë këtu, ky vend ishte tashmë i vjetër, pothuajse si qyteti. Askush nuk e di me siguri se sa kohë ka ekzistuar ose kush e ka krijuar atë.
Unë mund t’ju them vetëm atë që më tha babai: kur një bibliotekë zhduket, kur një librari mbyll dyert e saj, kur një libër humbet në harresë, ne, kujdestarët e këtij vendi, bëjmë që ai të arrijë deri këtu. Dhe këtu librat që askush nuk i kujton, librat e humbur në kohë, jetojnë përgjithmonë, duke pritur ditën kur ata mund të kthehen në duart e një lexuesi të ri, të një shpirti të ri. Ne i shesim dhe i blejmë, por në të vërtetë librat nuk na përkasin kurrë”.
Përdorimi me zgjuarsi i gotikut dhe romantikes, misterit dhe historisë, e gjitha e spërkatur me një dashuri absolute për letërsinë, bën që veprat e autorit të pushtojnë zemrat e lexuesve në të katër anët e globit.Ruiz Zafon përdor mjeshtërisht gjuhën për të paraqitur këtë metropol të plagosur por të mrekullueshëm, ku të dyja ëndrrat dhe makthet bëhen realitet dhe, ndërsa personazhet ndryshojnë nga libri në libër, sfondi mbetet i pandryshuar. Barcelona qëndron e përjetshme, e traumatizuar, por e panënshturar: protagonisti i fundit./Konica.al
“Të folurit është marri, heshjta frikacakëri, të dëgjuarit është mençuri”.
“Ankthi është ndryshku i zemrës”
“Më thuaj për çfarë krenohesh dhe unë do të të them atë që të mungon”.
“Bota nuk do të shkatërrohet nga një bombë atomike, siç thonë gazetat, por nga e qeshura; nga banaliteti i tepërt, që do ta shndërrojë realitetin në një shaka të hidhur”.
“Qeniet njerëzore janë të gatshme të besojnë gjithçka përveç të vërtetës”.