…. Me ditë hyjt me bisedue,
Me pasë sy që me derdhë lot,
Vajin tand ju kishin prue
T’kishin kja për jet’ e mot.
Nëpër fush’ e nëpër shpija
Me ziti që s’nep afat,
Rreth e rreth t’kish ardhun fëmija,
Kjamun t’kishte i ngriti fat…
lV
Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti;
Ankimi e vaji nuk asht i zoti
Përgjithmonë zemrën me na coptue;
Fillo me gëzue.
Mbas boret t’dimnit çilet prendvera;
Nji ditë nuk gjindet që s’po ndrron era;
Sendet që patmë janë tuj mbarue;
Fillo me gëzue.
Tuj dnes’ i vorfni se e mbluene t’kqijat,
Me ankime t’veta mbush rrugët e shpijat;
Lecim por s’mbramit gjen tuj punue;
Fillo me gëzue.
Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem
Me ‘j vaj që duket se s’ka t’pajtuem!
Por zemrën moti jau ndrron tuj shkue;
Fillo me gëzue.
Ndër ishuj t’detit kjan i burguemi
Për fmij, për grue që s’shef i shuemi,
Por prap durimi ka me ja prue.
Fillo me gëzue.
Shpend tjerë burgosi sa herë mizori,
E rishtas jashta dikur i nxori;
Ndër fushë e male janë tuj fluturue;
Fillo me gëzue.
Flutrojnë ndër male, fluturojnë ndër lule,
Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule,
E kangët e parshme nisin me këndue :
Fillo me gëzue.
Ndër zogj që kishe ndojherë do t’hasin,
Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin;
Për ty t’vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue:
Fillo me gëzue.
Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.
Krajlnit’ ma t’moçmet ndrrohen me t’reja
E nji mij’ popuj ranë porsi rrfeja;
Po kthen motmoti që pat mbarue:
Fillo me gëzue.
Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
Por vaji e ankimi kanë për t’u shue;
Fillo me gëzue.
Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi,
Ka me ta shëndoshun zemrën gazmendi;
Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue:
Fillo me gëzue.
Kur t’shkojsh ndër fusha, kur t’shkojsh ndër
male,
Afër shpisë seme hovin tand ndale;
Mahnit, at zanin tand tuj prigjue,
Kam për t’u gëzue.
Poto- Re — 1886