MENU
klinika

Deklarata

“Nuk komentojmë”/ Presidenca reagim të dytë për Venecian

27.09.2019 - 21:49

Komisioni i Venecias solli sot në Tiranë raportin për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, ku mes tjerash në përfundimet e tij thuhej se “Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka tejkaluar kompetencat kushtetuese, por nuk janë evidentuar shkelje të rënda për shkarkim”.

Për këtë ka reaguar edhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, i cili theksoi se Meta nuk ka shkelur asnjë germe të Kushtetutës, por shtoi se me vendimin për të shtyrë 30 qershorin, Kreu i Shtetit ka parandaluar një gjakderdhje mes shqiptarësh.

Zëdhënësi i Kreut të Shtetit, duke iu përgjigjur interesit të mediave, ka bërë një reagim të dytë, ku thotë se Presidenca nuk komenton asnjë dokument të klasifikuar që vjen nga institucione të ndryshme, përfshi edhe Komisionin e Venecias.

Sipas Blushit, ky raport mban datën 29 shtator dhe nuk mund të komentojë mbi përmbajtjen e tij, kur sot data shënon 27 shtator.

Reagimi i dytë:

“Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi, i pyetur nga media mbi një dokument të Komisionit të Venecias që mban datën 29 shtator 2019, sqaron se:Nuk komentojmë asnjë dokument të klasifikuar që na vjen nga institucione të ndryshme, përfshi edhe Komisionin e Venecias.

Aq më tepër që sot është data 27 shtator 2019, ndërsa ky dokument mban datën 29 shtator 2019. Jemi të paqartë: është “ngatërresë” nga nxitimi, apo në datën 29 shtator 2019 do vijë një dokument tjetër?”, thuhet në reagim.