Policia e Tiranës ka zbardhur dhe dokumentuar autorësinë e vrasjes së 26-vjeçarit Santiago Malko duke shpallur në kërkim 8 persona.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre.
Në vijim të punës për zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit S. M., Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune intensive hetimore, arritën të dokumentojnë autorësinë e ngjarjes së ndodhur në datë 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku u vra me armë zjarri shtetasi S. M.
Dokumentimi i autorësisë së kësaj ngjarje të rëndë kriminale është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor dhe më datë 27 shtator 2019, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur si masë sigurimi personal “Arrest me burg” në mungesë, ndaj shtetasve:
Leonard Duka, Orion Loga, Dritan Agai, Erlis Duka, Ilir Selmani, A. M., Xh. N., (të shtatë banues në Tiranë) dhe Fatmir Hyseni, (M.,) banues në Vlorë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vlerësuar dhe suportuar punën hetimore dhe procedurale të Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë dhe ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për ti klasifikuar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Më herët po për këtë ngjarje është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe shtetasi B. T., banues në Tiranë.
Grupi hetimor gjatë veprimeve procedurale ka arritur të gjej dhe sekuestroj në cilësinë e provës materiale 8 automjete, mes tyre dhe automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre.
Grupi hetimor vijon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të, si dhe lokalizimin e kapjen e personave te mësipërm të cilët tashmë janë të shpallur në kërkim.
Gjithashtu kjo ngjarje i ka kaluar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për ndjekje të mëtejshme.
Policia e Shtetit, duke falënderuar qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, për të ndërtuar së bashku një Shqipëri më të mirë dhe të sigurt