MENU
klinika

Të dhënat nga INSTAT

Rritet numri i pasagjerëve në transportin detar

28.09.2019 - 16:36

Këtë vit është përmirësuar ndjeshëm edhe tregu i transportit detar të udhëtarëve.

Sipas të dhënave nga INSTAT, për 8-mujorin e parë 2019, numri i pasagjerëve në transportin detar arriti në 1.16 milionë, në rritje me 3% krahasuar me një vit më parë.

Shqipëria, me rreth 440 km vijë bregdetare, ka kushte të favorshme natyrore dhe burime reale për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve, transportit, turizmit, peshkimit, me të gjitha vendet bregdetare të pellgut të Adriatikut dhe më gjerë.

Transporti detar dhe portet janë sektorët kryesorë jo vetëm të zhvillimit të sistemit të transportit, por dhe të zhvillimit ekonomik të vendit, dhe në veçanti të industrisë së turizmit. Lidhur me këtë, mbi bazën e Planit Kombëtar të Transportit dhe Master Planeve të Zhvillimit të porteve, janë bërë hapa konkrete në drejtimet e mëposhtme:

Rehabilitimi dhe zgjerimi i infrastrukturës dhe superstrukturës portuale të porteve të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës është vlerësuar si proces i domosdoshëm, për të rritur kapacitetet akomoduese, përpunuese dhe efektivitetin e shërbimit, për tragetet me pasagjerë dhe me mallra, duke krijuar akses edhe për zhvillimin e turizmit detar.

Në prioritet të planeve zhvillimore të qeverisë është edhe ndërtimi i porteve turistike, sipas standardeve ndërkombëtare, që i jep një impuls të veçantë turizmit. Ndërtimi i porteve turistike, marinave për akomodimin e jahteve dhe mjeteve të tjera lundruese me infrastrukturën dhe lehtësitë e nevojshme, për përpunimin nga mjetet e vogla turistike dhe deri në anijet e mëdha Cruiser.

Transporti detar realizohet në katër portet kryesore shqiptare, Autoriteti Portual Durrës, Porti Detar Vlorë, Shëngjinit dhe Sarandës.