Deputeti i PS Alket Hyseni beson se pas publikimit të vendimit përfundimtar të Komisionit të Venecias, Meta do të largohet vetë nga Presidenca.
Në raportin paraprak të Venecias të publikuar dje thuhej se Meta kishte shkelur Kushtetutën, por deri në çfarë pike e ka shkelur duhet ta përcaktojë Gjykata Kushtetuese.
Mirëpo, Alket Hyseni thotë se Komisioni i ngritur nga Kuvendi për Metën do të çojë deri në fund hetimet, ndërsa shton se publiku pret që Presidenti të largohet vetë ashtu siç ka deklaruar.
“Shkarkimi ose jo është një çështje proceduriale tani. Ne do të mbarojmë hetimin në Komisionin Hetimor në kontekst të ekspertizës që bëjmë aty. Raporti do ti paraqitet seancës plenare. Është Kuvendi i Shqipërisë si institucion që do të marrë vendimin politik.
Nëse Kuvendi do të marrë vendimin se janë rrethanat për shkarkim i kalon Gjykatës Kushtetuese. Dhe është Gjykata Kushtetuese si filtri fundor që do të vendosë nëse jemi në rrethanat e parashikuara nga dispozitat konkrete kushtetuese për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Sa i takon aspektit politik, pritshmëritë e gjithë publikut janë që presidenti i Republikës ti qëndrojë angazhimit të marrë publikisht për dorëheqje pasi Komisioni i Venecias në raportin paraprak e ka deklaruar shkeljen e Kushtetutës.
Por le të presim raportin përfundimtar dhe ta bëjmë atë zyrtarisht publik dhe unë bvesoj se Presidenti do të gjejë kurajon që në nderim të institucionit dhe personit të tij të marrë vendimet e duhura duke lehtësuar edhe Gjykatën Kushtetuese nga një moment i tillë”, tha deputeti socialist Alket Hyseni i ftuar në Ora News.