MENU
klinika

Ja çfarë pritet të ndodhë

‘Reuters’ shkruan për zgjedhjet në Kosovë

01.10.2019 - 22:07

Votuesit në Kosovë do të zgjedhin një parlament të ri të dielën, në zgjedhje të parakohshme, të cilat mbahen në një atmosferë të tensionuar, të mbizotëruar nga korrupsioni i shfrenuar, papunësia shumë e lartë dhe marrëdhëniet e dobëta me Serbinë fqinje, me të cilën Kosova duhet të rregullojë raportet, për shkak se vetëm kështu mund të anëtarësohet në BE.

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, me një moshë mesatare 29 vjeç, dhe ka pasur një rritje ekonomike prej 4 përqind, gjatë dekadës së fundit. Mirëpo, Kosova mbetet tepër e varfër, teksa më shumë se 200 mijë kosovarë ose kanë lënë ose kanë aplikuar për azil në ndonjë vend të Bashkimit Europian që kur shteti i Kosovës shpalli pavarësinë më 2008, shkruan “Reuters”.

Zgjedhjet u nxitën nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj në korrik pasi ai u thirr në pyetje nga prokurori i krimeve të luftës në Hagë për rolin e tij në kryengritjen e viteve 1998-99 kundër forcave serbe. Pakënaqësia e popullatës ndaj qeverisjes së shkuar me tri parti në koalicion ka bërë që partitë në opozitë të mund të shënojnë rritje në elektorat. Kështu, pritet që të ketë rritje të numrit të votuesve për LDK-në dhe partinë nacionaliste Vetëvendosje. VV lufton për vendin e parë.

Kandidatja për kryeministre e Lidhjes Demokratike të Kosovës deklaroi se beson se populli i Kosovës është i gatshëm që të ketë në krye të vendit një kryeministre. “Në më shumë se 90 përqind të rasteve janë burra që janë të përfshirë në korrupsion. Një grua e sheh shtetin ndryshe dhe kujdeset për qytetarët”, tha Osmani për “Reuters”.

Pavarësisht deklaratave të liderëve politikë, votuesit janë skeptikë për politikanët, të cilët sipas tyre kanë përdorur gjithmonë mashtrimet për të ardhur në pushtet. Dy votuese thanë se nuk kanë besim te qeverisja e ardhshme dhe se rinia sidomos po vuan nga papunësia, edhe pse shumica e tyre janë diplomuar.

Ndërsa një votues i quajtur Ramadan Bibaj, 66 vjeç, u shpreh se korrupsioni mbetet endemik për Kosovën, duke kujtuar faktin se politikanët në vend vetëm janë pasuruar. “Politikanët u bënë shumë të pasur dhe tani nuk duan të dinë për njerëzit. Brenda pesë vjet më pak se 400,000 njerëz do të qëndrojnë këtu (nëse gjërat vazhdojnë kështu)”, tha ai.

Si Vjosa Osmani, ashtu edhe rivali i saj kryesor Albin Kurti e kanë vënë theksin tek papunësia. Edhe pse Kosova dhe Serbia ka kohë që bëjnë bisedime, ata kanë përparuar pak në këtë drejtim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN