Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë Konventës së Drejtoreve të Policive Europiane në ambientet e Europol-it në Hagë, pati bashkëbisedime të veçanta me Drejtoren Ekzekutive të EUROPOL-it, Catherine de Bolle, dhe me Komisionerin Europian për Çështjet e Sigurisë dhe Emigracionit, Dimitris Avramopoulos.
Komisioneri Europian, Avramopoulos, dhe Drejtorja Ekzekutive e EUROPOL-it, Catherine de Bolle, përgëzuan Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Veliu, për punën dhe rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën ndaj krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigrimit të paligjshëm.
Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, ka siguruar Avramopoulos dhe De Bolle se Policia e Shtetit është e vendosur në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivmit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të emigracionit të paligjshëm, në goditjen e grupeve kriminale dhe në sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale, duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët e vendeve të BE-së e më gjerë, me mbështetjen edhe nga EUROPOL-i.
“Rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit gjatë punës së saj, por dhe operacionet mjaft të rëndësishme të zhvilluara me partnerët për shkatërrimin e grupeve kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta, trafikimit të qënieve njërëzore nëpërmejt falsifikimit të dokumentave dhe të goditjes së elementëve të rrezikshëm në fushën e terrorizmit, tregojnë më së miri se jemi në rrugën e duhur”, ka theksuar ndër të tjera Veliu, gjatë takimit me dy zyrtarët e lartë.