Një 30-vjeçar i paralizuar arriti të lëvizë të katër gjymtyrët e tij falë një kostumi ekzoskeleton të kontrolluar nga mendja.
Pajisja e njohur ndryshe edhe si “skelet i jashtëm”, ka bërë që Thibault të ngrihej në këmbë e të ecte.
“U ndjeva si të isha njeriu i parë në hënë”, është shprehur ai.
Lëvizjet e 30-vjeçarit, sidomos ato të këmbëve, janë ende larg përsosmërisë dhe kostumi-robot për momentin, është duke u përdorur vetëm në laborator. Studiuesit megjithatë thonë se ky zhvillim në vetvete mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve.
Thibault iu nënshtrua një ndërhyrjeje për vendosjen e dy implanteve në sipërfaqen e trurit të tij, duke mbuluar atë pjesë të tij ku kontrollohet lëvizja.
Gjashtëdhjetë e katër elektroda në secilën implant lexojnë aktivitetin e trurit dhe përcjellin udhëzimet në një kompjuter aty pranë. Softueri i sofistikuar kompjuterik lexon valët e trurit dhe i shndërron ato në udhëzime për kontrollin e ekzoskeletit.
Thibault, i cili nuk dëshiron të zbulohet mbiemri i tij, punonte si specialist për lentet e kontaktit përpara se të binte nga një lartësi prej 15 metrash katër vjet më parë, ndërsa ndodhej në një klub nate.