Turqia është sfida më e rëndësishme për fatin e Shqipërisë në Euro 2020, një sfidë që nuk duhet humbur për të mos zbehur shanset për një kualifikim të mundshëm.
Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka publikuar listën me lojtarët e grumbulluar për dy takimet e radhës, kundër Turqisë dhe Moldavisë.
Reja foli edhe për ndeshjen ndaj Turqisë, ku u shpreh se kuqezinjtë shkojnë vetëm për fitore, pasi është e vetmja mundësi për të shpresuar për kualifikimin në Europian.
“Është shumë e rëndësishme që lojtarët të luajnë, por edhe duhet të marrim në konsideratë qëndrimin që kanë në kombëtare. Marr si shembull Dermakun, që nuk ka luajtur me Parmën, por në Kombëtare ka luajtur mirë. Marash Kumbulla ka qenë në formë, madje edhe shënoi, duke treguar personalitet. Përmendim Hysajn gjithashtu, i cili nuk ka gjetur hapësira te Napoli së fundmi, por në Kombëtare ka luajtur mirë, madje herën e fundit edhe shënoi.
Shkojmë me bindjen se mund të bëjmë lojën tonë. Ata janë të fortë në kundërsulm dhe janë të shpejtë. Nga ana taktike besoj se ne do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë, duke i vendosur në vështirësi dhe të kemi mundësi për një rezultat pozitiv.
E dimë shumë mirë që kjo është mundësia e fundit që kemi për Europianin. I gjithë ambienti është gati dhe për të bërë një ndeshje pozitive. Ne na vlen vetëm fitorja dhe e përsëris këtë gjë. Duhet ndeshje pozitiv dhe duhet rezultat pozitiv.
Ishte një tjetër Shqipëri dhe shpresoj mos të përsëritet ajo ndeshje. Kjo që kemi krijuar sot, e them me bindje që është një skuadër tjetër. Turqia është mjaft e fortë në shtëpi, kujtojmë që fitoi ndaj Francës. Kanë mbështetje të madhe edhe nga tifozët. Unë me grupin tim të punës po përgatitemi për ta përballuar intensitetin e kësaj ndeshje.
Duhet një vëmendje për emrat e mëdhenj që ka Turqia. Në krahasim me ndeshjen në Shkodër ne kemi ndryshuar shumë. Edhe në mbrojtje kemi më shumë garanci. Golat ndaj Islandës ka qenë një mungesë vëmendje nga ne. Normalisht që këto nuk duhet të ndodhin më dhe po mundohemi t’i eleminojmë këto gabime.
Dua të veçoj edhe faktin që ishte shumë e rëndësishme ndeshja në Shkodër. Ata mund të kishin dy pikë më pak dhe ne një më shumë, normalisht nëse ndeshja e Shkodrës do të kishte shkuar ndryshe. Ne shkojmë për rezultat pozitiv atje.” , tha italiani.
Bie në sy fakti që Reja nuk ka grumbulluar Mërgim Mavrajn dhe Armando Sadikun, pavarësisht se ky i fundit po kalon një moment të mirë te Malaga.
“Unë kam folur këtë javë me Mavrajn dhe ai do të bëjë një ndërhyrje në krah. Më ka kërkuar pushim për këtë grumbullim. Sadiku ka një problem familjar dhe ka kërkuar gjithashtu pushim. Për sa i përket Xhakës kam folur dhe jam sqaruar, pasi dua t’i jap kohë të rinjve si Selahi, apo Taulant Seferi. Të gjithë i njohim vlerat e Mavrajt apo Xhakës. Nuk dua të krijoj situata të pakëndshme dhe dua të jem i qartë. Dua që t’i jap minuta sa më shumë lojtarëve dhe t’i provojmë.”, sqaroi trajneri kuqezi.
Për herë të parë, ka siguruar një ftesë Liridon Selahi, ndërsa një ftesë ka siguruar dhe Lorenc Trashi.
Ka rikuperuar në kohë dhe Elseid Hysaj, por gjendja e mbrojtësit të Napoli mbetet për t’u vlerësuar.