MENU
klinika

Apple paditet nga një përdorues rus

“Jam homoseksual për shkak të aplikacionit tuaj”

07.10.2019 - 16:52

Një qytetar rus ngriti padi “për paragjykim moral” kundër “Apple”, duke e akuzuar kompaninë se e kishte bërë homoseksual përmes një aplikacioni të shkarkuar në platformën e tij, thuhet në një kopje të padisë, siguruar nga AFP.

Paditësi, mbiemri i të cilit është Razoumilov, pretendon se ka shkarkuar me kriptomonedha një aplikacion nga “Apple Store” dhe ka marrë një transfertë prej 69 “GayCoins” në vend të ”Bitcoins” që kishte porositur.

Transferta u shoqërua edhe me një mesazh në anglisht “Mos gjykoni përpara se të provoni”.

“Nisur nga mesazhi vendosa të provoj marrëdhëniet homoseksuale. Prej dy muajsh kam një lidhje intime të qëndrueshme me dikë të gjinisë sime dhe s’mund të kthehem pas. Nuk di si t’ia shpjegoj këtë prindërve. Jeta ime ka ndryshuar për keq dhe s’do të kthehet më në normalitet”, deklaroi ai në padinë e tij. “E vërteta është se Apple më ka manipuluar, duke më shtyrë drejt homoseksualizmit”, tha ai.

Paditësi kërkon një milion rubla (14 000 euro) dëmshpërblim dhe interesa nga firma “Apple”, sepse duke e manipuluar, e ka shtyrë drejt homoseksualitetit.

Kërkesa mbështetet nga avokati Sapijat Gousnieva, i njohur tashmë për sulmin e ndaj gjigantit të ushqimit të shpejtë McDonald’s në vitin 2016: në atë kohë, avokati mbrojti një grua të plagosur në faqe nga një kockë e gjetur në një sanduiç të rrjetit amerikan të ushqimit të shpejtë.