MENU
klinika

Pas dënimit me 10 vite burg

Apeli i Krimeve të Rënda shtyn me 9 ditë vendimin e prerë për Balilin

08.10.2019 - 20:05

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i dha vetes nëntë ditë kohë për të shpallur vendimin e formës së prerë për Kelmend Balilin, i dënuar me 10 vjet burg në shkallë të parë për trafik lëndësh narkotike.

“Duke vërejtur se detajet e çështjes gjyqësore janë të shumta, këtij kolegji i nevojitet me tepër kohë nga dita e sotme dhe u vendos të shtyhet shpallja e vendimit,” tha kryesuesja e trupës gjyqësore, Saida Dollani.

Balili po gjykohet në Apel nga trupa e drejtuar nga Dollani dhe me anëtarë Albana Boksin dhe Sokol Binajn. Më herët të martën, avokati i Balilit, Sokol Hazizaj dhe prokurori Altin Dumani u përballën sërish për provat në dosje, duke parashtruar pretendime të kundërta.

Avokati Hazizaj kërkoi pafajësi për klientin e tij, duke pretenduar se Prokuroria nuk kishte provuar përtej çdo dyshimi se Balili ishte përfshirë në trafikimin e kanabis sativës drejt Greqisë.

“Prokuroria nuk identifikoi se nga janë kryer thirrjet në dy numrat grekë dhe ata shqiptarë që pretendohet se janë përdorur nga Balili,” tha Hazizaj në sallën e gjyqit.

Ai shtoi më tej se organi i akuzës nuk ka kryer asnjë veprim hetimor për të konstatuar se në emër të kujt ishin të regjistruar numrat si dhe nuk ishte kryer ekspertimi i zërit.

“Si ka mundësi që në mungesë të këtyre elementëve të përcaktohet se është ai?”, ju drejtua Hazizaj trupës gjykuese, i cili e konsideroi vendimin e shkallës së parë si tej çdo vendimi racional.

Ai kundërshtoi akuzën e grupit të strukturuar kriminal, duke argumentuar se nuk mund të arrihej tek kjo vepër penale nëse nuk identifikohej dhe specifikohej veprimtaria e Balilit, ndërsa kundërshtoi edhe akuzën e pastrimit të parave. Në fund, avokati Hazizaj tha se klienti i tij nuk ka qenë i proceduar më parë dhe se ka reputacion të mirë.

“Kërkojmë pushimin e çështjes ose ndryshimin e vendimit duke mos u njohur fajësia”, tha avokati Sokol Hazizaj. “Edhe nëse do të dyshohej se është marrë me lëndë narkotike, nuk mund të dënohet kështu një i solidarizuar. Duhej të bëhej rehabilitimi i tij,” përfundoi ai.

Sipas BIRN, në të kundërt, prokurori Altin Dumani e konsideroi të drejtë vendimin e shkallës së parë dhe kërkoi lënien në fuqi të dënimit me 10 vjet burg.

“Është provuar jashtë çdo dyshimi tjetër të arsyeshëm,” pohoi Dumani. “Identifikimi i tij se përdorte dy numrat në fjalë është bërë nga autoritetet greke. Mesazhet për numrin e pasaportës janë dalëse nga numri i përdorur prej Balilit. Ndërkohë që janë edhe dy mesazhe të tjera që nuk i tha mbrojtja,” shtoi përfaqësuesi i akuzës.

Lidhur me veprën penale të grupit të strukturuar kriminal, Dumani tha se kishte të bënte me krimin e organizuar dhe se në këtë rast ishte e detyruar të zbatohej.

Dumani kundërshtoi edhe pretendimin e mbrojtes së nuk ishte kryer hetim administrativ për fshehjen e pasurive.

“Në vitin 2013 kur ai mori një post publik dhe kreu deklarimin para fillimit të detyrës duhej të kishte pasqyruar të gjitha pasuritë. Ai ka fshehur e kryer deklarim të rremë për disa pasuri në emër të tij, djalit dhe bashkëshortes dhe për këtë arsye ka përgjegjësi penale,” tha prokurori.

Vendimi për Balilin do të shpallet më 17 tetor, ora 14:00.