22% e grave në Shqiperi kane përjetuar dhunë fizike dhe seksuale që në moshën 15 vjeçare.
Realitetin alarmant e nxorri në pah anketa e realizuar nga misioni i OSBE në Tiranë. Për ministren e Drejtësisë dhuna me bazë gjinore lidhet me mos koordinimin e punës së institucioneve ligjzbatuese.
‘Kemi një fakt. Ndodh shpeshherë që këto institucione të punojnë në mënyrë të pakoordinuar. Gjykata kishte vendosur mbi një rast urdhërin e mbrojtjes për gruan një ditë dhe ditën tjetër urdhër mbrojtje për burrin, po të të njëjtës familje.’- tha ministrja Gjonaj.
Për ambasadorin e OSBE, Bernd Borshardt, rastet e dhunës në Shqipëri lidhen me kulturën e vendit tonë. Ai apeloi gratë ta denoncojnë dhunën.
‘Gratë duhet të fuqizojnë që të denoncojnë dhunën. Denoncimet e tyre duhet të merren seriozisht nga policia. Prokuroriët, gjykatësit, dhunuesit duhet të vihen para drejtësisë.’- u shpreh Borshardt.
Por Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu hodhi poshtë konstatimin e ambasadorit Borshardt, duke thënë se ky është fenomen, jo karakteristikë e shqiptarëve.
‘Për fat të keq është ende prezent në shoqërinë shqiptare, por për të thënë të vërtetën nuk është karakteristikë. Duhen disa përmirësime në raport me denoncimet e dhunës.’- shtoi Manastirliu.
Për gratë e dhunuara seksualisht, në Shqipëri pritet të hapet qendra e parë për rehabilitimin e tyre.
Sipas anketës rezulton se 22% e grave pohojnë se kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale që në moshë 15 vjec, 80 përqind e të intervistuarve mendojnë se kjo dhunë është e zakontë, ndërsa 53 për qind e tyre e konsiderojnë atë shumë të zakontë.