MENU
klinika

Deputeti i ri

Njihuni me shqiptarin që po ‘pushton’ parlamentin zvicerian

11.10.2019 - 15:51

Studenti i Universitetit të St. Gallenit, Eduard Muqaj, i kërkon votat e shqiptarëve në Baselland. “Do të dëshiroja të përçoja zërin e popullit, ku përfshihemi edhe ne shqiptarët, interesat e të cilëve unë natyrisht i përfaqësoj”.

Albinfo.ch ka intervistuar kandidatin e të rinjve të CVP për Baselland, studentin e Universitetit të St. Gallenit HSG, Eduard Muqaj. 24-vjeçari është me prejardhje nga Gjakova, ndërsa prej vitit 1996 jeton në Pratteln, Baselland. Aktualisht është duke studiuar Administrim Biznesi në Universitetin e St. Gallen (HSG).

Muqaj thotë se CVP ka mbështetur shqiptarët për shumë vjet dhe kjo është arsyeja pse ai përmes të rinjve të CVP-së dëshiron ta përçojë zërin e popullit, ku përfshihemi edhe ne shqiptarët, interesat e të cilëve ai thotë se i përfaqëson.

Çfarë ju ka shtyrë të kandidoni për zgjedhjet parlamentare të Zvicrës?

Eduard Muqaj: Ne shqiptarët jemi njëri nga pesë grupet më të mëdha etnike këtu në Zvicër. Sidoqoftë, ne jemi relativisht të nënpërfaqësuar në politikë, megjithëse shumë prej nesh kemi shtetësi zvicerane dhe një arsim të mirë ose një prapavijë të mirë profesionale. Kjo është një arsye që më ka bërë të kandidoj. Përveç kësaj, CVP ka mbështetur shqiptarët për shumë vite, kjo është arsyeja pse, me kandidaturën time, unë gjithashtu dua të mbështes CVP-në në zgjedhje.

Si e zhvilloni fushatën zgjedhore, ku jeni të fokusuar, në cilat pika?

Eduard Muqaj: Për fushatën zgjedhore kam disa mundësi në dispozicion. Në njërën anë jam i mbështetur nga të afërmit dhe CVP, për të paraqitur kandidaturën time në mënyrë mediatike dhe për të informuar të tjerët për kandidaturën time. Nga ana tjetër, kam edhe shumë fletushka të disponueshme, të cilat i shpërndaj me një letër ku shkruhet se për çfarë angazhohem unë. CVP gjithashtu ndërmerr shumë aksione të prezantimit të kandidatëve tanë në vende ku ka frekuentim të njerëzve dhe ku ne mund t’u drejtohemi personalisht kalimtarëve. Për më tepër, kur komunikoj me shqiptarët, është gjithmonë e rëndësishme për mua t’ju them që CVP e vlerëson dhe e mbështet komunitetin tonë, dhe unë gjithashtu gjithmonë përpiqem të tregoj se çfarë mundësishë kemi ne shqiptarët për një rezultat të mirë në zgjedhje.

Zëri i kujt dëshironi të jeni në Bernë, çfarë politikash do të ndiqni?

Eduard Muqaj: Do të dëshiroja të përçoja zërin e popullit, ku përfshihemi edhe ne shqiptarët, interesat e të cilëve unë natyrisht i përfaqësoj. Në fund të fundit, secili mund të përfitojë nëse kemi vëmendje për të mirën e përbashkët. Kjo është arsyeja pse unë do të ndiqja një politikë të klasës së mesme që kërkon konsensusin e interesave të ndryshme për të gjetur një zgjidhje për të gjithë. Kjo është arsyeja pse unë u bashkova me të rinjtë e CVP-së, e cila shërben si parti e qendrës, mbështet komunitetin tonë shqiptar dhe kërkon zgjidhje të qëndrueshme për Zvicrën dhe banorët e saj.

Sa vota ju duhen që të zini vend në Parlamentin Federal?

Eduard Muqaj: Për këtë nevojiten shumë vota. Meqenëse kjo është kandidatura ime e parë, është jashtëzakonisht vështirë që unë të zë një vend në Pallatin Federal më 20 tetor 2019. Mirëpo ky nuk është qëllimi im primar. Për mua është shumë më e rëndësishme ta shfrytëzoj shansin që CVP më ka dhënë mua dhe komunitetit kosovar duke më vendosur në listën e të rinjve. Me një rezultat të mirë në zgjedhje, ne mund të dëshmojmë potencialin e komunitetit tonë, dhe kjo do të rezultojë që në të ardhmen, më shumë kandidatë kosovarë të jenë në listat zgjedhore. Qëllimi im është ta arrij këtë dhe kjo mund të arrihet me ndihmën dhe pjesëmarrjen e komunitetit tonë në zgjedhje.

Si duket programi juaj zgjedhor, cilat janë tri temat më prioritare që dëshironi t`i trajtoni?

Eduard Muqaj: Ka tri tema që unë do të doja t`i renditja si prioritare. Për mua është shumë e rëndësishme që të huajt të jenë të integruar mirë në Zvicër dhe gjithashtu të kenë mundësi, sepse kulturat e ndryshme sjellin edhe shumë mundësi, të cilat mund të realizohen përmes një politike të mirë integrimi. Gjithashtu për mua është e rëndësishme që zhvillimi ekonomik i Zvicrës të mbetet tërheqës, në mënyrë që vendet e punës në Zvicër të mund të vazhdojnë të ekzistojnë dhe, përveç kësaj, të mund të gjenerohen vende të reja pune. Së fundmi, unë gjithashtu do të doja të përfshihesha në mjedis dhe përdorim të mirë të burimeve tona, sepse Zvicra mund të rritet vetëm në mënyrë të qëndrueshme.

Trason rrugën për kandidatët e ardhshëm shqiptarë

Me një rezultat të mirë në zgjedhje, ne mund të dëshmojmë potencialin e komunitetit tonë, dhe kjo do të rezultojë që në të ardhmen, më shumë kandidatë kosovarë të jenë në listat zgjedhore. Qëllimi im është ta arrij këtë dhe kjo mund të arrihet me ndihmën dhe pjesëmarrjen e komunitetit tonë në zgjedhje.

Këto janë të rëndësishme për Eduardin politikan

Për mua është shumë e rëndësishme që të huajt të jenë të integruar mirë në Zvicër dhe gjithashtu të kenë mundësi, sepse kulturat e ndryshme sjellin edhe shumë mundësi, të cilat mund të realizohen përmes një politike të mirë integrimi. Gjithashtu për mua është e rëndësishme që zhvillimi ekonomik i Zvicrës të mbetet tërheqës, në mënyrë që vendet e punës në Zvicër të mund të vazhdojnë të ekzistojnë.