Letërsia u përfaqësua me Nobelin këtë vit, nga një shkrimtar që mbështet genocidin. Akademia suedeze po përballet prej datës 10 tetor, dita kur u shpall fitues Peter Handke, me reagime të vazhdueshme. Autori i cituar nga juria, për stilin dhe gjuhën e veçantë, mbetet dashamirës i serbëve dhe ish-liderit vrasës, Millosheviçit. Si duket edhe viti pas pushimit, ai 2018, do të shënohej nga një tjetër skandal./Konica.al
Lidhur me një vendim të tillë, për “The New York Times”, ka folur sekretari i Akademisë Suedeze, Mats Malm, i cili ka theksuar se, “nuk është në mandatin e akademisë, balancimi i kualitetit letrar në raport me qëndrimet politike”.
Ndërkohë, nga ana tjetër, CNN gjithashtu, ka kërkuar një koment nga Fondacioni “Nobel”, lidhur me vendimin për t’i dhënë shkrimtarit Handkes, çmimin në letërsi.
Nga ky fondacion, kanë bërë të ditur se “asnjëherë nuk i komentojnë përzgjedhjet e pavaruara nga institucionet që zgjedhin laureatët për çmimet ‘Nobel”.
Për çmimin e dhënë shkrimtarit Handke, mbrojtës e adhurues i Sllobodan Millosheviçit, ka reaguar edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington, Vlora Citaku, ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, shkrimtari me famë botërore, Selman Rushdie, të cilët janë shokuar me një vendim të tillë të Akademisë Suedeze. Reagime ka pasur dhe nga politika shqiptare.
Handke, ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, madje edhe ka qarë për të.