Është mbyllur java e nëntë e Premier League me Arsenal që ka humbur 1-0 në transfertë me Sheffield United. Një humbje që djeg për topçinjtë e Londrës, që mbeten larg kreut dhe jashtë zonës Champions.
“The Blades” shfrytëzuan në maksimum avantazhin e minutës së 30-të, duke mos lënë asnjë hapësirë deri në fund. Sfida nisi më mirë për londinezët, teksa patën një mundësi ideale me anë të Nicolas Pepe, i cili u gjet mjaft mirë në zonë nga Kolasinac, por afrikani, në mënyrë të pabesueshme nuk arriti ta devijonte topin në rrjetë.
Në minutën e 30-të ishte dhe momenti i vendasve. Një përgjumje totale në mbrojtjen e “Topçinjve”, solli edhe golin e avantazhit për Sheffield, me Mousset që shtyu topin në rrjetë pas pasimit të O’Connell.
Në pjesën e dytë të besuarit e Emery provuan me të gjitha forcat, por mbrojtja hermetike e Sheffield United rezistoi deri në fund, duke marrë një fitore të vyer.
SHËNIM: Të gjitha rezultatet e ndeshjeve kryesore të ditës i gjeni në kohë reale, duke klikuar Konica.al në ballinën e rubrikës së sportit