I padiskutueshëm roli, kontributi, vlerat dhe largpamësia e poetit, shkrimtarit, gjuhëtarit, atdhetarit dhe mësuesit të devotshëm, Gjergj Fishta. Mes krijimtarisë së pashoqe, orvajtjet e Fishtës, me cilësinë e akademikut, për të shpëtar Joklin, dihen deri diku. Më poshtë po risjellim në vëmenedje, një letër të Fishtës, drejtuar Françesko Jakomonit, më 23 shtator 1939, shkruar në emër të të gjithë intelektualëve shqiptarë, ku, pasi shpreh vlerësimin më të lartë për Joklin, ai shfaq dëshirën që të gjendet mundësia për të ardhur Jokli në Shqipëri, në ndonjë nëpunësi, të përshtatshme me famën e tij, si shkencëtar e gjuhëtar i shquar./Konica.al
Shkodër, 23 shtator 1939
Shkëlqesi,
Mendoj se ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Evropë, asht profesor Norbert Jokli, me kombësi çifute që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit te Vjenës e profesor gjuhësie në të njajtin universitet.
Tashti, më shkruejnë nga Vjena, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem të largohet, brenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut.
Ai, tashma, asht i ndrymë, beqar, me një fat mjaft modest. Atij, natyrisht, i duhet të rropatet me gjetë ndonjë vend, kudo të jetë, sa me jetue. Duket se don me shkue në Amerikë.
Shkëlqesi, pa dyshim, do të ishte një fatkeqësi e madhe për gjuhën kombëtare shqipe, në qoftëse ky shkencëtar, me famë europiane, që unë e njoh e që, me autoritetin e tij të padiskutueshëm, ka mbajtë gjatë interesin e filologëve ma të përmendun për gjuhën shqipe, të jetë i shtrënguem me braktisë Europën.
Kombi shqiptar, i tani, do t’ju dijë për nder shumë, nëse Shkëlqësia e juej të mund të gjejë mundësinë ta bajë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty një vend, edhe pse jo aq fitimprurës, megjithatë të përshtatshëm për famën e tij si shkencëtar e gjuhëtar i shquem.
Jam i sigurtë se do ta merrni në konsideratë dashamirëse këtë propozim timin, që unë e paraqes në emen të të gjithë intelektualëve shqiptarë.
Përfitoj nga rasti, për t’Ju lutë të pranoni ndjenjat e respektit ma të madh dhe me mirënjohje të thellë.
I Shkëlqesisë suej
i devoçëm e mirënjohës
P. Gjergj Fishta OFM
Shkëlqesisë së tij
Françesko Jakomoni
Luogotenente
Gjergj Fishta, lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës, më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt, kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.
I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Deri më 1899, Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atij viti, ai bëhet bashkthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, që e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës, të kësaj periudhe.
Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, gjer atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai përfshin gjuhën shqipe, si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Arrin të botojë këngët e para të “Lahutës së Malësisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset” më 1913 “Mrizi i Zanave”.
“Shqypnia”
Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!
…..
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
…….
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.”