MENU
klinika

Ndeshjet e treta në grupe

Champions, Inter i dënuar të thyejë Dortmundin

23.10.2019 - 12:27

Xhiroja e tretë e fazës në grupe të Champions League mbyllet sonte, ku ndeshja kryesore që spikat është Inter-Dortmund, me zikaltrit që janë të detyruar të fitojnë, për shkak të një pike të vetme të grumbulluar deri tani.

Ky mision përballë verdhezinjve gjermanë me siguri nuk do të jetë i lehtë. Antonio Conte dhe të tijtë kanë një sfidë shumë të ndërlikuar përpara. Conte duhet të bëjë pa të dëmtuarit Sensi, D’Ambrosio dhe Sanchez, plus Vecino, që më së shumti mund të jetë në stol.

Formacionet e mundshme:

INTER (3-5-2): Handanovic; Godin, De Vrij, Skriniar; Candreva, Gagliardini, Brozovic, Barella, Asamoah; Lukaku, Lautaro Martinez.

BORUSSIA DORTMUND (4-2-3-1): Bürki; Akanji, Weigl, Hummels, Schulz; Delaney, Witsel; Sancho, Brandt, Hazard; Gotze

Në 5 ndeshjet e fundit në shtëpi, Interi nuk ka humbur asnjë, ndërkohë që Dortmund ka fituar 11 ndeshjet e fundit në transfertë kur ka shënuar i pari gol.

Po në këtë grup, Barcelona luan në transfertë përballë Slavias së Pragës, aty ku do të tentojë vetëm fitoren, duke qenë se do t’i mbante në krye të tabelës dhe duke shpresuar në barazim te takimi tjetër.

Grupi E deri më tani nuk ka prodhuar shumë surpriza. Napoli do të sfidojë në transfertë Salzburg, teksa në transfertë do të luajë edhe Liverpool me Genk.

Napoli luan sot me mungesa të shumta, aty ku Hysaj, Maksimoviç dhe Rui kanë probleme dhe do të jenë jashtë për këtë takim. Nga ana tjetër, Salzburg ka një nga futbollistët më në formë të momentit dhe talenti Haland do të provojë forcën përballë një skuadre mjaft të fortë siç është Napoli.

Salzburg është një skuadër e cila prodhon shumë gola, duke qenë se në dy ndeshjet e fundit ka pasur plot 15, nga të cilët 9 të shënuar dhe 6 të pësuar.

Sakaq, Liverpool nuk pritet të ketë probleme në transfertën ndaj Genkut. “The Reds” janë kthyer në një makineri golash, duke qenë se në 8 ndeshje nga 11 të fundit në Champions, ata kanë shënuar të paktën 2 gola për çdo takim, teksa në transfertë ka shënuar 3 gola në 3 ndeshje radhazi dhe të gjithë të shënuar në 30 minutat e fundit.

Në Grupin G është një situatë e barabartë mes skuadrave. Zenit dhe Lyon e shohin veten në kuotën e 4 pikëve, teksa 1 pikë më pak ka Leipzig. Surpriza në këtë grup, është vetëm Benfica, e cila ende nuk numëron pikë pas dy ndeshjeve të para.

Leipzig pret sot në shtëpi Zenit, aty ku synon që të marrë një fitore për t’u afruar me kualifikimin. Skuadra gjermane ka një statistikë të veçantë duke qenë se në 5 ndeshjet e fundit ka shënuar të paktën një gol pas minutës së 75, teksa nga ana tjetër, Zeniti ka shënuar në 25 minutat e para nga 4 në 5 ndeshjet e fundit.

Benfica luan ndaj një skuadre e cila në fakt ka qenë një “mace e zezë” në sezonet e fundit. Në 4 përballje direke, Lyon ka arritur të fitojë 3 ndeshje, ndërsa Benfica numëron vetëm një fitore në shtëpi ndaj skuadrës franceze. Benfica mund t’i gëzohet faktit se nuk është mundur asnjëherë në shtëpi nga skuadrat franceze në turnetë europianë.

Në Grupin H, Chelsea do të tentojë të marrë maksimumin sot në një transfertë shumë delikate, aty ku do të luajë në Holandë përballë Ajax.

Të besuarit e Lampard nuk e shohin veten në pozita shumë të mira, teksa fitorja është detyrim për ta. Ndërkohë, Valencia luan përballë Lilës në transfertë.

Ajax po bën një ecuri fantastike, duke qenë se këtë sezon nuk është mundur ende në Champions, duke marrë parasysh se ka luajtur edhe në kualifikuese për në Grupet e Champions.

Holandezët numërojnë 4 fitore dhe 2 barazime, ndërkohë që në të gjitha kompeticionet numërojnë 13 fitore. Nga ana tjetër, Chelsea ka arritur një formë të mirë në kampionat dhe tashmë e sheh veten në vendet e para në klasifikim, ndërkohë që në Champions numëron 1 fitore dhe 1 humbje.

Në takimin tjetër, Lila nuk është mundur ende në shtëpi këtë sezon në kampionat, ndërkohë që në Champions është mundur në dy ndeshjet e para të Championsit.

As Valencia, nuk është në moment të mirë teksa në 6 ndeshjet e fundit në transfertë ka shënuar vetëm 2 gola në Champions dhe sot shpreson të zhbllokohet.

SHËNIM: Të gjitha rezultatet e ndeshjeve kryesore të ditës i gjeni në kohë reale, duke klikuar Konica.al  në ballinën e rubrikës së sportit

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN