MENU
klinika

Rexhep Qosja

T’i ndalim vajtimet e padinjitetshme rreth Nobelit…

26.10.2019 - 21:07

      Pas reagimeve kundër komitetit të Nobelit, t’i hedhim një vështrim vetvetes

Peter Handke!
Çmimi Nobel!

Qe më tepër se tri javë Peter Handke ishte emër shumë i shpeshtë në fjalorët e disa politikanëve, disa ministrave, disa deputetëve, disa diplomatëve, disa ambasadorëve, i kryetarëve e i kryeministrave dhe i disa shkrimtarëve tanë, mes të cilëve, me një deklaratë të shkurtër, të zbehtë, isha edhe unë.

Me Peter Handken unë jamë marrë, po ashtu shkurtimisht, edhe para luftës e në kohën e luftës sonë çlirimtare, kur shumica e atyre që tani u morën me të, ndoshta nuk ia kishin dëgjuar emrin.

Qe më tepër se tri javë Peter Handke u bë emri aq i shpeshtë në fjalorët politikë, diplomatikë, letrarë e shkencore të politikanëve, shtetarëve, shkrimtarëve e krijuesve tanë të tjerë sepse iu dha Çmimi Nobel.

Po të mos iu kishte dhënë ky Çmimi ai, Peter Handke, do të mbetej i panjohur, i harruar për gojëtarët tanë të përmendur, siç kishte qenë i harruar e i panjohur më parë me gjithë veprimtarinë e tij politike që tani po quhet veprimtari kriminale.

 

 

Sigurisht se nuk kam pasur mundësi të mësoj se sa u fol për Peter Handken e nobelizuar në kontinente e në vende të tjera, por, megjithatë, mund të them se në asnjë vend tjetër në Evropë e në kontinente të tjera, politikanët, shtetarët dhe diplomatët nuk i kushtuan kujdes siç i kushtuan politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe dy akademitë tona: ajo e shkencave e Shqipërisë dhe ajo e shkencave dhe e arteve e Kosovës!

Duket se politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, e krijuesit e tjerë dhe akademitë e shkencave dhe të shkencave e të arteve të vendeve të tjera kishin punë më të rëndësishme për të sotmen e të ardhmen e vendeve të tyre e të popujve të tyre sesa të merreshin me Peter Handken gjerë e gjatë. Politikanët, shtetarët, diplomatët e vendeve të tjera si duket u kujdesen të mos e shkelnin një parim të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm, të demokracisë moderne: mospërzierjen e tyre politike, shtetërore e policore, në vlerat artistike të krijimtarisë shpirtërore dhe në lirinë e mendimit e të shprehjes të krijuesve letrarë, artistikë e shkencorë.

Peter Handke është poet, prozator, skenarist, përkthyes, që ka shkruar një numër veprash, që janë çmuar vepra me vlera artistike, të pangarkuara, domethënë të pacenuara, prej ideologjive dhe politikave totalitare, despotike, tiranike, diktatoriale.

Këto vepra të tij letrare artistike, siç mund të jetë menduar në Komitetin Nobel e në Akademinë Mbretërore të Suedisë, i kanë plotësuar tri kriteret, që përcaktojnë përzgjedhjen e veprave që do të çmohen me Çmimin Nobel, e që janë: e para, vlera letrare artistike, e dyta, risitë formale e strukturore dhe, e treta, humanizmi.

Por, këto tri vlera të veprës letrare artistike të Peter Handkes, të pacenuara nga veprimtaria e tij publike, politike para fillimit të luftës në ish Jugosllavinë, ai i njollosi mbasi filloi kjo luftë e, sidomos, mbasi kjo luftë u përshtri në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë.

Duke e përkrahur Kryetarin e Jugosllavisë së shkurtuar (Serbia e Mali i Zi) e mandej, kryetar i Serbisë, kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin, duke pranuar të jetë dëshmitar mbrojtës i tij në Gjykatën e Hagës, duke mbajtur fjalim në varrimin e tij në Serbi, Peter Handke, si qytetar, si intelektual, si shkrimtar e harroi misionin e krijuesit letrar dhe përkrahu dhunën e terrorin e tij, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që bëri regjimi i Millosheviqit, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë.

I përkrahu me gojë! I përkrahur me veprimtari politike! I përkrahu si gazetar e publicist!

Por, i përkrahu pa armë në dorë, i përkrahu ndryshe nga shkrimtari rus i quajtur Limonov, i cili serbët në Bosnjë i përkrahu duke u veshur në uniformë ushtarake e duke u armatosur me kallash!

Pavarësisht se duke përkrahur Millosheviqin dhe regjimin e tij hapur përkrahu dhunë, terror, krime lufte e krime kundër njerëzimit, dhe e turpëroi ashtu gjithë krijimtarinë e tij intelektuale, Peter Handke u “ngushëllua” dhe u përpoq të ngushëllojë edhe të tjerë se këtë përkrahje e shprehu në sajë të së drejtës së krijuesve të krijimtarisë shpirtërore për mendim e shprehje të lirë, të pandaluar, të pacensuruar!

Duke e pasur parasysh të drejtën e krijuesve, të cilët veprën e tyre letrare, pra thjesht letrare, nuk e kanë cenuar me përmbajtje, me ideologji e me politikë totalitare, tiranike, despotike, diktatoriale, ksenofobe a raciste, Komiteti Nobel dhe Akademia Mbretërore e Suedisë edhe ia dha çmimin Nobel Peter Handkes.

Ashtu siç e thonë disa teorikë, e theksoj, vetëm disa teorikë të letërsisë, ashtu edhe Akademia Mbretërore e Suedisë e shkëputi plotësisht veprën letrare artistike të Petër Handkes prej krijimtarisë dhe deklaratave të tij publike jashtëletrare!

Politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe akademitë tona të shkencave dhe të shkencave e të arteve kërkuan prej asaj Akademie t’ia anulojë Çmimin Nobel Peter Handkes. Dhe, kur e bënë këtë kërkesë harruan diçka: harruan çka nuk do të duhej të harronin! Harruan se kjo Akademi nuk ia kishte anuluar Çmimin Nobel shkrimtarit të shquar norvegjez, Knut Hamsun, të cilit ky Çmim i ishte dhënë në vitin 1920, por ai në fillim të Luftës së Dytë Botërore kishte përkrahur me gojë e me dorë nazizmin dhe Hitlerin! Norvegjia e kishte shpallur tradhtar të Kombit, Knut Hamsunin, por, megjithatë, nuk e kishte pushkatuar.

Dhe harruan çka nuk do të duhej të harrohej: harruan se Akademia Mbretërore e Suedisë nuk ia kishte anuluar Çmimin Nobel për paqe kryeministres së Birmanisë, Aung San Suu Kyi, e cila, jo shumë kohë mbasi iu dha ky Çmim, mori pjesë në vrasjet masive dhe zhvendosjen e dhunshme të myslimanëve Rohinga prej Birmanisë!

Harruan dhe çka krejt tjetër nuk harruan politikanët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe dy akademitë tona – Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës kur kërkuan t’i anulohet Çmimi Nobel Peter Handkes.

Harruan t’i lënë pak çaste të pushojnë Komitetin Nobel, Akademinë Mbretërore të Suedisë, Çmimin e saj Nobel dhe të nobelizuarin Peter Handke. T’i lënë shkurt të pushojnë ato tri institucione suedeze e austriakun e nobelizuar për letërsi dhe t’ia hedhin një sy të djeshmes dhe të sotmes sonë politike, letrare, shkencore, kulturore, dhe, natyrisht jetëshkrimeve, veprimeve, veprave të disa figurave tona politike, shtetërore, letrare, artistike, shkencore.

Sikur t’ua hidhnin syrin këtyre figurave tona politike e krijuese, kësaj të djeshmeje e kësaj të sotmeje tonë, atëherë do ta zvogëlonin sadopak retorikën kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë e kundër Peter Handkes. Dhe, do ta zvogëlonin sadopak këtë retorikë sepse institucion të mëkatshëm si ajo Akademi suedeze që jep Çmimin Nobel dhe individë të mëkatshëm politikisht kur më pak e kur më shumë se një Peter Handke do të gjenin edhe në historinë tonë të djeshme e mund të jetë edhe në historinë tonë të sotme.

Deshën s’deshën gojëtarët tanë kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë dhe Peter Handkes do të shihnin politikanë e shtetarë shqiptarë të mes dy luftërave botërore, që do të përkrahnin Benito Musolinin, do të shihnin politikanë e shtetarë të mëparshëm shqiptarë, por edhe ndonjë krijues që do të merrnin pjesë në institucionet shtetërore fashiste, që do të krijojë Duçeja në Shqipëri. E Duçeja, siç dihej, duke bërë dhunë e terror e krime lufte e krime kundër njerëzimit do të pushtojë Etiopinë, disa pjesë të tjera të Afrikës, e mandej Shqipërinë dhe do të bëjë lidhje politike, shtetërore e ushtarake me Hitlerin për pushtime më të gjera botërore! Gojëtarët tanë do të shihnin shkrimtarë shqiptarë, të çmuar, të adhuruar, të festuar e të stolisur me çmime të ndryshme se si e madhërojnë fashizmin dhe se si e bekojnë Zotin për pushtimin e Shqipërisë prej kryefashistit Duçe!

 

 

Dhe, më tej, gojëtarët tanë kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë do të harrojnë që të kërkojnë që shkollave, universiteteve, shesheve, rrugëve, institucioneve tona të ndryshme shtetërore t’u hiqen emrat e atyre adhuruesve të fashizmit e atyre pjesëmarrësve në institucionet politike e shtetërore të pushtuesve fashistë!

Dhe, mbas kapitullimit të Italisë në vitin 1943 sytë e të mospajtuarve tanë me vendimin e Akademisë Mbretërore të Suedisë do të shihnin politikanë, shtetarë, shkrimtarë, krijues të tjerë shqiptarë se si e se sa do të përkrahnin nazizmin e Hitlerit, e Hitlerin si pushtues të ri të Shqipërisë e të Kosovës!

Dhe, më tej! Dhe, më tej, çka do të shihnin në të djeshmen e në të sotme tonë gojëtarët tanë që tani e tri javë e ankojnë fort fatin e sivjetmë të Çmimit Nobel për letërsi në vitin 2019.

Do të shihnin disa shkrimtarë të sotëm shqiptarë, shkrimtarë shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore, shkrimtarë e krijues të tjerë se si me gojë, me penë e me të dy duart e përkrahnin Josif Visarianoviç Stalinin dhe ideologjinë e politikën e tij të quajtur stalinizëm. E gojëtarët që po kërkojnë që Akademia mëkatare mbretërore suedeze t’ia anulojë Çmimin Nobel Peter Handkes do të duhej të dinin se Stalini nuk ishte më pak dhunëtar e gjakatar se Milloshi, do të duhej të dinin se ai, Xhugashvilli, e kishte përgjakur Bashkimin Sovjetik me gjakun e shumë qytetarëve të kombësive të ndryshme të Bashkimit Sovjetik; se i kishte mbushur burgjet me shumë intelektualë, shkrimtarë, shkencëtarë, krijues të tjerë, kurse jo vetëm një bashkësi etnike jo ruse e kishte dëbuar prej tokës së vetë…!

Në qoftë se Peter Handke veprat e tij thjesht letrare artistike, nuk i ka “stolisur” me politikën dhe ideologjinë e Millosheviqit, por vetëm gazetarinë e publicistikën e tij, disa nga shkrimtarë tanë, qoftë edhe të sotëm, jo vetëm gazetarinë e publicistikën, po edhe veprat e tyre, sidomos veprat e tyre letrare, romanet, dhe tregimet, dhe dramat e tyre i kanë “stolisur” me emrin e Stalinit, me “gjeniun” e Stalinit, me stalinizmin, me diktaturën e tij e me vizionin diktatorial që kishte ai për ardhmërinë!

Hajde, dy fjalë t’i them edhe për politikën e të ashtuquajturit diferencim ideopolitik pas demonstratave të rinisë sonë studentore e shkollore në vitin 1981 e më vonë. Jo vetëm politikanët po edhe sa shkrimtari, sa krijuesi tjetër, sa studiuesi shkencor janë detyruar ta përkrahin atë diferencimin ideopolitik duke i quajtur ato demonstrata – atë Hyrje të madhe të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, “kontrarevolucion, demonstrata armiqësore, kundër bashkim-vëllazërimit, që cenojnë rëndë të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptar në Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse”. Por, do të gjenden disa shkrimtarë e krijues të tjerë që shkonin vullnetshëm në mbledhjet e organizatave bazë të Lidhjes së Komunistëve për t’i dënuar ato demonstrata të quajtura “kontrarevolucion” e për t’i treguar me gisht ata që nuk diferencoheshin! E Millosheviqi me policinë e tij do të përdorë shumë dhunë e terror në Kosovë për shuarjen e idealit të atyre të treguarve me gisht, të atyre demonstratave, për burgosjen, dënimin a vrasjen e pjesëmarrësve në ato demonstrata!

Hajde dy fjalë t’i them dhe për udhëheqjen shumëvjeçare të partisë më të madhe fituese në zgjedhjet që mbaheshin në Kosovë me lejen e Sllobodanit e nën kujdesin e policisë së tij dhe në zgjedhjet që do të mbahen edhe mbas kapitullimit politik e fizik të Sllobodanit. Në valën e dhunës, terrorit, krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, kryetari i kësaj partie më të madhe e më jetëgjatë të Kosovës do të bëjë marrëveshje më 28 prill të vitit 1999 me zbatuesin besnik të politikës së Milloshit, në atë kohë kryetar i Serbisë, Millan Millutinoviq, për krijimin e Qeverisë kuislinge shqiptare. Dhe kjo marrëveshje tradhtare do të nënshkruhet në ndërtesën e Kuvendit e të Qeverisë së dikurshme të Kosovës. Me atë rast solemn kryetari i partisë shqiptare do i çojë dhurata kriminelit Millan Millutinoviq!

 

 

I njëjti kryetar i partisë më të madhe shqiptare në Kosovë, jo shumë kohë pas nënshkrimit të Marrëveshjes tradhtare, kur ditët e Milloshit ishin të numëruara gjatë fushatës së bombardimeve nga forcat e NATO-s, do të shkojë në Beograd te Sllobodani dhe me të, në kabinetin e tij, do kalojnë në “bisedime paqësore” gjithë natën. Të nesërmen, i shoqëruar prej sigurimit të Sllobodanit, do të fluturojë për Itali prej Aeroportit të Beogradit! Dhe, atje, në Itali, do kërkojë ndërprerjen e fushatës së bombardimeve siç e kërkonte dhe Peter Handke! E të tjera të zeza dhe më të zeza! Dhe, këtë kryetar të partisë më të madhe shqiptare në Kosovë, partia e tij e tanishme me një pjesë të saj, e fosilizuar, e feston, e madhëron, e mbarëkombëtarizon, e përgjithëson me konferenca e kongrese dhe me përndjekje të atyre që për të mendojnë ndryshe!

Në qoftë se i mendojmë të gjitha këto që i thashë dhe disa të tjera që, megjithatë, nuk i thashë ende, besoj se do ta lëmë të qetë Akademinë Mbretërore të Suedisë, Komitetin Nobel, dhe do ta pushojmë vajin për Çmimin Nobel!

Në qoftë se pajtohemi me këtë propozim do të pajtohemi edhe me një propozim tjetër: do të pajtohemi se, se çmime të shumëçmuara të kohës së tyre nuk kanë marrë as Dante, as Bokaçio, as Servantesi, as Shekspiri, as Gëteja, as Balzaku, as Marsel Prusti, as Çarls Dikensi, as, as as! Se çmimin e sotëm Nobel nuk e kanë marrë as shkrimtari më i madh i kohës së tij Leon Tolstoi, as Henrik Ibzeni, as Xhejms Xhojsi, as Bernard Sho, as, as Andre Malro, as Horhe Luis Borhes, as Ignacio Silone, as Hulio Kortasari, as Nikos Kazanzakis. Por, o sa çudi, çmimi Nobel nuk i është dhënë as romansierit, teorikut e estetit më të madh botëror të gjysmës së dytë të shekullit 20 e të fillimit të shekullit 21, Umberto Ekos, por as shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj botërorë Gilermo Kabrera Infantes, Filip Rotit, Mishel Turnies dhe Zhan d’ Ormesonit. As, as, as sa e sa shkrimtarëve të tjerë vërtet të mëdhenj. E megjithatë as ata e as adhuruesit e tyre s’vajtojnë për Çmimin Nobel e për çmime të tjera. Siç po vajtojmë ne! Ne!

Çmimet, si po shohim, sot, shumë më shpesh po jepen për angazhimet e letrarizuara politike të shkrimtarëve sesa për vlerat artistike të veprave.

Hajde, prandaj, t’i ndalim vajtimet e padinjitetshme rreth e rrotull Çmimit Nobel, t’i lëmë rehat Suedinë, Komitetin e Nobelit dhe Akademinë Mbretërore Suedeze dhe të mendojmë për tjetër çka: të mendojmë se si të parandalojmë shkaqet që po rrënojnë kohezionin shoqëror e mbarëkombëtar të popullit shqiptar – korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar, padrejtësitë, papunësinë, varfërinë e madhe të një pjese të madhe të popullit, privilegjet dhe lukset e arrivistëve ndërgjegjeshuar, në të vërtetë të pandërgjegje, që kanë pushtuar pothuaj të gjithë sektorët e jetës sonë, dhe konfliktet e pandalshme disavjeçare të forcave politike!

Hajde, hajde, t’i parandalojmë këto të këqija shkatërruese të qenies sonë se vetëm me parandalimin e tyre do të ndalim degdisjen e të rinjve tanë, të ardhmërisë sonë nëpër rrugët e botës!